Kishte munguar në punë, e ligji e ka obliguar drejtorin e Shtëpisë Studentore “Pellagonia” në Shkup të Maqedonisë së Veriut t’ia ndërpriste kontratën. I nervozuar nga situata, tanimë ish-i punësuar në këtë institucion, ka marrë një çekan dhe benzinë dhe ka hyrë tek zyra e drejtorit. Fillimisht e ka shkatërruar, e më pas i ka vënë flakën.
Policia po kryente ekspertizën, e kishin ardhur edhe ekipe të njësisë për anti-terrorizëm për të kontrolluar mos është vendosur ndonjë pajisje tjetër shpërthyese. Edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme dolën me detaje për rastin.
“Më datë 11.11.2022 në SPB-Shkup A.F(36) I punësuar si drejtor në konvikt në lagjen KisellaVodë në Shkup, ka raportuar se në vendin e punës pas një debati të mëparshëm, N.J, ish-punonjës në konvikt, së bashku me një person tjetër ka hedhur një lëndë djegëse dhe ka shkaktuar zjarr. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa zjarri është shuar nga zjarrfikësit e Shkupit. Forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po merren masa për pastrimin e rastit”, thonë nga Ministria për Punët e Brendshme.
Vetë punonjësit e Shtëpisë Studentore me aparate kundër-zjarrit kanë parandaluar që të përhapet zjarri edhe në hapësirat tjera. Në momentin e ngjarjes, në hapësirat e drejtorisë ka qenë edhe sekretarja, e cila u mor në pyetje nga policia. Ajo i tha policisë se kjo mund të jetë një sulm i planifikuar, sepse personi që kreu sulmin kishte ardhur i përgatitur me çekan, i cili nuk mund të blihet askund afër shtëpisë studentore.