Një violinë 310-vjeçare, me vlerë 250,000 paund që kishte mbetur në një tren në jug të Londrës, i është kthyer më së fundmi pronarit të saj të ligjshëm. Instrumenti me vlerë të madhe historike dhe monetare iu dorëzua violinistit Stephen Morris në një parking makinash të një supermarketi, pas bisedimeve në telefon që kishte bërë me personin që kishte marrë violinën e harruar në tren.
Policë të infiltruar ndoqën të gjithë momentin e dorëzimit nëse ndonjë gjë do të shkonte keq, megjithëse personi që e kishte marrë në tren ishte shprehur në bisedën telefonike se kishte bërë gabim dhe donte që violina t’i kthehej të zotit.
Violina e realizuar nga mjeshtri David Tecchler në vitin e largët 1709, u harrua në trenin e Orpington në Londër më 22 tetor. Policia Britanike më vonë lëshoi disa pamje të një personi që dyshohej se kishte marrë violinën dhe bëri thirrje përmes rrjeteve sociale që ai t’ia kthente atë të zotit.