24-vjeçari shqiptar, i identifikuar si Mariglen Ruçi, i cili humbi jetën nga asfiksimi pas djegies së një shtëpie bari në Angli, ishte vëllai i mesfushorit të Bylisit, Flamur Ruçi.
Ky i fundit ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Instagram lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njeriut të shtrenjtë.
“Vëllai im do më mungosh shumë! Gjithmonë do jesh në zemrën time gjysma ime“, shkruan Ruçi, i cili ka postuar dhe fotografi me të vëllanë.
Klubi i Bylisit ka shprehur ngushëllimet nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook.
“Familja jonë e madhe i gjendet pranë në këto momente të vështira mesfushorit tonë Flamur Ruçi! Fatkeqësia e tij është edhe e jona, u prehtë në paqe vëllai jot“, shkruan FK Bylis.
Sipas mediave lokale në Britani, i riu ka humbur jetën nga asfiksia, pasi “shtëpia e barit” të cilës i shërbente u shkrumbua nga flakët.
Për ngjarjen e ndodhur është arrestuar një 40 vjeçar i cili akuzohet si shkaktar i zjarrit.