Autoritetet iraniane njoftuan këtë të mërkurë një pezullim të përjetshëm të peshëngritësit Mustafa Rajaei, pasi ky i fundit i zgjati dorën kundërshtarit izraelit gjatë një gare në Poloni.
“Federata e Peshëngritjes ka pezulluar përgjithmonë Mustafa Rajaein nga të gjitha garat në vend”, njoftoi agjencia zyrtare e lajmeve IRNA.
Mustafa Rajaei dhe izraeliti Maksim Svirsky, respektivisht i dyti dhe i treti, u ngjitën në podium në një garë në Poloni, kur Svirsky mori iniciativën për të përshëndetur iranianin, duke përfunduar të dy duke bërë një foto së bashku, me flamujt e vendeve përkatëse në mbrapa.
Ky veprim shkaktoi polemika në Iran, pasi ata e konsiderojnë Izraelin armik.
“Përveç që i kërkoj falje liderit të revolucionit, familjeve të dëshmorëve dhe gjithë popullit të Iranit, premtoj se nuk do të shohim incidente të tilla në familjen e peshëngritjes”, tha presidenti i federatës së peshëngritjes, Sajad Anoushiravani.