Ky është momenti kur avioni që transportonte Arbër Çekajn nga Gjermania drejt Shqipërisë, ulet në Rinas.
I veshur me një triko të kuqe dhe xhinse te zinj, pronari i firmës “Arbri Garden”, ku u sekuestrua kontenieri me 613 kg kokainë zbriti nga shkallët e avionit.
“Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Dyzeldorfi, Gjermani drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar A.Ç. (K.), 39 vjeç, banues në Tiranë”.
Me pranga në duar ai u mor në dorëzim nga efektivë të policisë shqiptare dhe nga aty u transportua me furgonin e policisë drejt burgut 313 në kryeqytet.
39-vjeçari akuzohet për trafikim të narkotikëve.
“Ai ishte shpallur nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, më datë 08.03.2018, e cila ka lëshuar urdhër arresti për këtë shtetas për veprën penale “Trafikimi i narkotikeve” kryer në bashkëpunim”.
Përmbledhje e ngjarjes
Shtetasi Arbër Çekaj në muajin shkurt 2018 në bashkëpunim me shtetas të tjerë dyshohet të ketë trafikuar një sasi të madhe lëndë narkotike, kokainë, nga Kolumbia drejt Shqipërisë.
Biznesmeni i bananeve u arrestua në Gjermani në maj të vitit 2018 pak kohë pasi policia gjeti ngarkesën e kokainës në kontejnerët e mbërritur për llogari të tij në portin e Durrësit. Sipas hetimeve, dyshohet se Arber Çekaj ishte larguar nga Shqipëria para bllokimit të drogës në Durrës ndërkohë që atje ka përdorur mbiemrin Jensen me qëllim shmangien ndaj drejtësisë. Çekaj ka tentuar ti shpëtojë ekstradimit në Shqipëri duke kërkuar azil politik në shtetin gjerman, por kjo kërkesë është refuzuar.
Ai ishte aksioneri i vetëm i kompanisë “Arbri Garden”, e cila vitet e fundit ka porositur 97 ngarkesa nga Amerika e Jugut që prej vitit 2012. Pas kapjes së kokainës më 28 shkurt 2018 u arrestua Armando Pezaku, që drejtonte kamionin me targë DR 3819 dhe Donaldo Lushaj, që ndodhej si pasagjer I mjetit, i cili kishte detyrën e menaxherit dhe do merrte në dorëzim mallin e mbërritur nga Kolumbia.