Është zbardhur ngjarja e rëndë që tronditi lagjen “Manush Alimani” në Shkodër më 29 dhjetor 2025, ku mbeti viktimë shtetasi Hysni Ymeri. Sipas informacioneve zyrtare të policisë, vrasja u krye me lëndë eksplozive, që dyshohet se ishte vendosur në panelin elektrik të pallatit, ku banonte viktima.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “SHADOWS”, u identifikuan dhe u vunë në pranga katër persona të dyshuar si autorë të ngjarjes. Operacioni u zhvillua me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësisë Shkodër, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si dhe shërbimeve të Komisariatit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës.
Katër të arrestuarit janë: G.B., 27 vjeç; E.I., 27 vjeç; E.H., 25 vjeç; dhe Gj.Z., 24 vjeç. Sipas policisë, ata dyshohen se, kundrejt pagesës dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vendosur lëndën eksplozive me telekomandim, duke shkaktuar shpërthimin që i mori jetën Hysni Ymerit.
Gjatë kontrolleve të kryera në vendngjarje, ambiente dhe gjatë kontrollit personal, policia ka sekuestruar një sasi të madhe provash materiale. Këto përfshijnë 28 celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, rrobat që dyshohet të kenë përdorur për vendosjen e eksplozivit, municion luftarak, një sasi monetare në lekë dhe euro, një sasi lënde narkotike dhe kokainë, tre pajisje gjurmuese GPS, dy kamera sigurie dhe një laptop.
Policia dhe Prokuroria po vijojnë punën për të identifikuar dhe personat e tjerë të implikuar në këtë ngjarje, për dokumentimin e plotë të saj dhe sqarimin e motiveve që çuan në këtë krim të rëndë.
Sipas njoftimit zyrtar, G.B. dyshohet të ketë qenë personi i porositur për të vendosur eksplozivin, që shkaktoi vdekjen e Hysni Ymerit. Ai është banues në lagjen Ahmet Haxhija dhe është rreth 30 vjeç, raporton për Klan News, gazetarja Emi Kalaja.
Materialet e sekuestruara dhe hetimet e kryera iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për disa vepra penale, përfshirë: “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim; “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”; “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; dhe “Prishja e qetësisë publike”.
