Policia e Krujës ka zbardhur zjarrëvënien mëngjesin e shkuar në një mobileri në Nikël të Krujës.
Në pranga kanë rënë A.M., 26 vjeç dhe N.M., 58 vjeç nga Tapiza e Krujës, babë e bir. Sipas policisë në bashkëpunim me njëri-tjetrin për motive të dobëta, në orën 02:50, të datës 1 prill në Tapizë, i kanë vënë zjarrin mobilierisë në pronësi të shtetasit B. D.,55 vjeç, banues në Tapizë.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit të arrestuar N. M., është gjetur një armë zjarri “pushkë”, model 56, pa lejen përkatëse, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.