Mauro Ikardi është gati të presë pa luajtur derisa Interi të bindet ta lërë të largohet drejt Juvetnusit, pasi ka një arsye madhore për të cilën nuk dëshiron të largohet shumë nga Milano ku banon aktualisht me familjen e tij. Sipas revistës italiane “Chi””, çifti Ikardi është në pritje të një fëmije tjetër, i 6-ti për Uanda Narën e cila ka kërkesa specifike për rritjen e tyre.
Për futbollistin ka pasur disa oferta konkrete nga jashtë Italisë, apo edhe nga Napoli, por sulmuesi argjentinas duket se ka vendosur që të mos bëjë ndryshime drastike për hir të fëmijëve. Uanda Nara dëshiron që të rritë të gjithë fëmijët në Itali dhe këtë fakt e ka pranuar edhe Ikardi. Njëkohësisht, ai ka pranuar edhe vendimin e klubit që nuk e ka më në plane, por dëshiron që lëvizja e radhës të bëhet sipas kushteve të tij pasi nuk do të dëmtojë familjen,
Sipas mediave italiane, kjo ka bërë që në ditët e fundit bisedimet mes palëve të shtohen, për të gjetur një zgjidhje, pasi në një situatë të tillë, Ikardi është i gatshëm të qëndrojë pa luajtur ndërsa paguhet nga Interi, gjë që ua ka bërë të qartë edhe në klub. Ndaj zikaltërit duket se herët a vonë do të jenë të detyruar të pranojnë kërkesën e futbollistit për ta lënë të shkojë te Juventusi, thjesht po negociohen detajet financiare.