Në 13 vite, janë gati 780 mijë shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Europian dhe në Mbretërinë e Bashkuar gjatë periudhës 2008-2021. Sipas të dhënave të Eurostat, të përpunuara nga Monitor, është Italia shteti që kryeson me dhënien e lejeve për këtë periudhë, me 372 mijë leje të dhëna.
Pas Italisë, vendin e dytë e zë Greqia me 258 mijë leje të dhëna. Në vendin e tretë vitet e fundit ka kaluar Gjermania, që ka dhënë gjithsej 53 mijë leje. Lejet e qëndrimit të dhëna nga shteti gjerman janë rritur vitet e fundit pasi shumë shqiptarë iu drejtuan Gjermanisë për të punuar, kryesisht mjekë, infermierë, punonjës të teknologjisë së informacionit etj.
Mbretëria e Bashkuar ka kaluar në vend të katërt, me rreth 20 mijë leje qëndrimi të dhënav, por për këtë shtet Eurostat raporton të dhënat deri në 2018-n. Deri atë vit përgjithësisht jepeshin 2-3 mijë lejë në vit.
Pas këtyre katër shteteve renditet Franca, me 17 mijë lejë qëndrimi të dhëna gjithsej. Ndonëse Franca është më e preferuara për kërkesat për azil nga shqiptarët, duke u renditur e para vitet e fundit, duket se shteti francez edhe pse mund të mos i përzërë, sërish është ngurrues për të dhënë leje qëndrimi.
Belgjika, Suedia Kroacia, kanë dhënë në periudhën 2008-2021 rreth 7-9 mijë lejë qëndrimi, ndërsa shtetet e tjera më pak se 3 mijë leje gjithsej. Edhe në vitin 2021, kur u dhanë në total 55 mijë leje nga shtetet e BE-së (pa Mbretërinë e Bashkuar) Italia ishte shteti më bujar, me gati 30 mijë leje, e ndjekur nga Greqia.
Deri në vitin 2011 kishte një diferencë të lartë mes lejeve që jepeshin nga Italia dhe Greqia në raport me shtetet e tjera, vitet e fundit diferenca është ngushtuar dukshëm duke treguar një preferencë drejt shteteve të tjera, kryesisht Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë.
Ikja vazhdon
Ikja e shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian duket se nuk ka të ndalur. Në vitin 2021 janë dhënë 55.2 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë në një nga vendet e BE-së. Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat, shtetet e BE-së kanë dhënë për shqiptarë gjithsej 756 mijë shtetas shqiptarë. Duke përfshirë dhe Mbretërinë e Bashkuar shifra arrin në rreth 780 mijë. Nga institucionet ndërkombëtare, numri i lejeve të qëndrimit për shtetasit e një vendi llogaritet si emigracion. Kjo shifër është gati sa 30% e popullsisë që vlerësohet që jeton aktualisht në Shqipëri. /Monitor/