Nga qelia e burgut Ilir Meta është ankuar për drejtuesit e tij se e kanë penguar të takojë djalin e tij dhe po ndëshkohet për komunikimet me gazetarët.
Ai deklaroi se ka vendosur të komunikojë me publikun me letra, duke filluar nga nesër me ish zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.
Të dashur miq,
Sot u thirra sërish para një Komisioni Disiplinor, si gjyq ushtarak, për një gabim “shumë të rëndë”: Dje dhashë një intervistë në mesditë për gazetaren Aida Toncica në MCN TV, nga telefoni i Avokatit tim, Kujtim Cakrani.
Kur herën e parë fola me gazetaren Beti Njuma, më thanë ke shkelur rregulloren se ke folur pas orës 20:00, ndërkohë sot u thirra nga “Disiplina” për arsyen e vërtetë, se nuk duan të komunikoj me gazetarët.
Çfarë dallkaukësh! Mirë që ping-pongun ma kanë ndaluar, por tani duan të më ndalojnë edhe lirinë e fjalës.
Nuk mbaron me kaq.
Po sot, më në fund pas 20 ditësh, më lanë të takohesha me motrën dhe dy nga tre fëmijët. U mërzita fillimisht kur në takim pashë vetëm motrën dhe dy vajzat, por jo djalin.
Më sqaruan se Besi po priste jashtë se rregullorja nuk lejon më shumë se 3 veta në takim, kur ndërkohë gjatë 8 muajve, në një takim në javë që kam bërë me familjarët, siç do i paraburgosur tjetër, i kam takuar të 4-ët bashkë.
Në këto kushte, kur masat represive përforcohen çdo ditë me “risi”, kam vendosur të realizoj një formë të re komunikimi me publikun, me letra të hapura.
Nesër, letra e parë e hapur, do të jetë për Z. Arben Ahmetaj.
