Ishte e bindur se vajza e saj do ta kalojë procesin e lindjes me sukses si gjithë pacientet e tjera që i kalojnë nëpër duar. Prandaj vendosi që të futet në sallën e lindjes bashkë me të.
Por infermierja nga Gjilani pa tmerrin me sy. Derisa po asistonte në lindjen e vajzës, e cila solli në jetë djalin e dytë, ndodhi ajo që s’e priste.
Vajza i vdiq nga gjakderdhja pas lindjes me operacion, ndërkaq nipi i shpëtoi. E gjithë ngjarja e dhimbshme ndodhi të mërkurën e 11 shtatorit të këtij viti.
E ndjera, 32-vjeçarja, ndërroi jetë në Spitalin e Gjilanit, pak pasi e lindi foshnjën e saj të gjinisë mashkull.
Vdekja e pacientes, sipas mjekëve të spitalit ku ajo lindi, nuk ka ardhur si pasojë e neglizhencës, por për shkak të disa komplikimeve shëndetësore të cilat iu shfaqën pasi kreu procesin e lindjes.
E ndjera kishte pasur lindjen e dytë. Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo la pas dy fëmijë, që të dy të gjinisë mashkullore.