E ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan, ka qenë këngëtarja e suksesshme dhe e dashur për publikun, Ingrit Gjoni. Pak ditë më parë, Ingrit ka publikuar klipin e radhës, këtë herë në bashkëpunim me një këngëtar nga Rumania. Kënga titullohet “Lumja unë” dhe shoqërohet me një videoklip mjaft të veçantë. Në studio, këngëtarja ka folur për prapaskenat e këngës së re, por edhe detaje të tjera nga jeta e saj.
Produksioni i saj i ri muzikor, në bashkëpunim me Cristi Mega është në gjuhën rumune dhe në gjuhën shqipe.
Ingrit Gjoni: Meqë këngët e mia kanë marrë këtë rrjedhë, pak nga folku kisha dëshirë ta bëja me një këngëtar rumun, sepse ata e kanë atë lloj muzike që mua më pëlqente. Në fakt, nuk është se e kam kontaktuar vetë, studio ku unë punoj, kompozitori im e ka bërë këtë lloj marrëveshje. Nuk është se kemi një miqësi shumë të ngushtë, e kam takuar Cristin për rreth 3 orë, gjatë kohës që xhironim.
Rudina Magjistari: Aty jeni takuar për herë të parë, domethënë?
Ingrit Gjoni: Aty jemi takuar për herë të parë.
Rudina Magjistari: Pra secili e ka punuar këngën në studiot e veta?
Ingrit Gjoni: Ai e ka kënduar në Rumani, pastaj ne nuk na pëlqeu diçka. Ne donim perfeksion akoma më shumë dhe zgjodhëm ta bëjmë këtu dhe anën vokale të atij.
Rudina Magjistari: Kështu që janë studiot që kanë bashkëpunuar më shumë me njëra-tjetrën.
Ingrit Gjoni: Po! E kishte kohën të limituar, xhiruam dhe njëkohësisht bëmë edhe audion e zërit për një ditë.
Klipi është xhiruar në jug të Shqipërisë, ndërsa pjesa më e veçantë e tij është realizuar në Kriporet e Nartës, të cilat në këtë periudhë të vitit e kanë të theksuar më shumë se kurrë ngjyrën rozë që krijohet pas tharjes së ujit. Pjesë e klipit janë edhe miqtë e Ingritit, ndër to Xhani Demnika dhe Genta Gjalpi.
“Doja një risi të re. Duke qenë se kam nja 42 klipe, mos gabohem, i kemi bërë e stërbërë dhe i bie të përsërisnim veten. Vendi ishte gjetje dhe një fat, sepse uji rozë nuk qëndron më shumë se 2-3 orë. Një detaj i bukur është që u bëra shumë pishman që kisha marrë çarçafët rozë, sepse thashë unë ambienti do jetë i bardhë, se kështu ma kishin shpjeguar bashkëpuntorët e mi, doja diçka shumë të veçantë. Më ndihmoi dhe fati atë ditë që ishte rozë dhe më kombinoi me çarçafët. Jam surprizuar, isha përgatitur për diçka tjetër. Unë vetë kur e pashë vendin u mallëngjeva, thashë: Çfarë është ky vend kaq i bukur. Nuk do ta besojnë njerëzit se është reale dhe i kërkoj me shumë dashuri kameramanit tim, i them: Të lutem të bëj një ecje unë, por e provova, u përcëllova”.
Gjatë verës, këngëtarja ka realizuar një tatuazh në krahun e majtë, ku imazh kryesor është vetë ajo.
“Është interesante se kur je përballë një sipërfaqeje të tillë, ti mendon çfarë duhet të bësh. Sigurisht që gjëja më e shtrenjtë dhe më e madhe e botës është çuni. Por më shpjeguan, që nuk është gjë e mirë të kesh fëmijën foto, edhe pse bota i ka këto gjëra nuk është si ne. Dhe thashë çfarë do bëj? Shikoj bashkë me Olsin, tatu dhe vendosa të bëj një zotëri që ecën dhe portretin tim. I kam pasur gjithmonë dëshirë, por nuk merrja guximin. Familjarët e mi më thoshin mos u zhgaravit. Tani unë e bëra dhe meqë motrat më thanë mos u zhgaravit, unë do bëj dhe ato të dyja”./tvklan.al