Futbollisti spanjoll, Iniesta, ka treguar gjatë një episodi të “The Wild Project” se ka vuajtur për një kohë të gjatë nga depresioni. Ish-mesfushori i Barceloën rrëfen se si kishte humbur vullnetin për çdo gjë.
“Koha më e mirë e ditës ishte kur merrja pilulat dhe shkoja në shtrat. Përqafoja gruan time, por ishte si të përqafoja një jastëk: Nuk ndjeja asgjë.”
Iniesta , siç ka thënë edhe vetë në raste të tjera, filloi të mos ndihej mirë pas vdekjes së papritur të mikut të tij Dani Jarque , i cili vdiq nga një atak në zemër në vitin 2009.
Ndonëse kanë kaluar rreth dhjetë vjet nga momenti kur u prek nga kjo sëmundje, Iniesta shprehet se vijon edhe sot të bëjë seancat e terapisë.
“Ka një dekadë që kur hyra në tunelin e depresionit, por vazhdoj të shkoj në terapi sepse duhet të kontrollohem. Unë jam i lumtur kur profesionistët flasin për sëmundjet mendore. Me kalimin e kohës, jeta të mëson se ato mund të prekin këdo.”