Marrëdhënia mes Interit dhe Mauro Ikardit ka përfunduar prej sezonit të kaluar, kur nisi edhe konflikti mes palëve. Megjithatë, klubi po e trajton në mënyrë përçmuese sulmuesin teksa fillimisht i hoqi shiritin e kapitenit, më pas deklaroi publikisht se argjentinasin nuk ishte pjesë e projektit, edhe pse lojtari u mundua të integrohej.
Ndërsa, së fundmi Interi e ka lënë edhe pa numër në fanellë futbollistin. Numri 9, i cili ishte përdorur nga Ikardi, tashmë i ka kaluar transferimit të fundit Romelu Lukaku. Në këtë formë, shoqëria zikaltër nuk kalon rast pa e theksuar se nuk e dëshiron argjentinasin.
Ndërkohë, Ikardi ka vendosur të qëndrojë në Itali dhe në këtë formë klubet e interesuar për të janë Juventusi dhe Napoli, por nuk duhet përjashtuar Roma. Megjithatë, dëshira e 26-vjeçarit është të vishet bardhezi dhe në Torino si një rastësi numri 9 është i lirë!