Interi i Antonio Konte e nis mbarë kampionatin italian, me një fitore bindëse në “San Siro” të mbushur si për ndeshjet e mëdha, edhe pse përballë ishte vetëm Leçe e sapokthyer në elitën e futbollit Italian.
Një Inter ndryshe, ku kishte vend për Sensi e Lukaku, ashtu si edhe për Lautaro Martinez, em Brozoviç që kërkonte gjithmonë të gjente rrjetën me gjuajtjet e tij apo me depërtimet në zonë. Ishte pikërisht kroati ai që hapi serinë e golave në këtë sfidë, me një gjuajtje të pakapshme për portierin Gabriel. Vetëm tre minuta më vonë, e kishte radhën Sensi i cili shënoi pas një sllallomi mes mbrojtësve kundërshtarë.
Në pjesën e dytë, do të vinte edhe goli i shumëpritur i Romelu Lukaku, i cili u prezantua në mënyrën më të mirë para tifozëve të tij. Sulmuesi shfrytëzoi një pritje jo shumë të sigurt të portierit pas gjuajtjes së Lautaro Martinez, për të dërguar topin në rrjetë. Për t’i vënë kapakun sfidës mendoi Kandreva, me një gjuajte të fortë e cila vulosi rezultatin përfundimtar 4-0 që i dha startin më të mirë të mundshëm kampionatit të zikaltërve.