Ditën e sotme bëri përshtypje fakti se në seancën stërvitore të Interit në Lugano, nuk merrte pjesë Mauro Ikardi. Në fakt, dihet se situata mes tij dhe klubit zikaltër është e tensionuar, megjithatë pritej që palët të prisnin të qeta verdiktet e merkatos, duke qenë se argjentinasi është i sigurt drejt largimit.
Megjithatë, bashkëpunimi edhe për ditët e mbetura duket i pamundur, teksa së fundmi Interi ka njoftuar se sulmuesi do të kthehet në Milano. Futbollisti do të vazhdojë përgatitjet para sezonale i vetëm ndërsa tashmë nuk do të marrë pjesë as në turin aziatik. “ Ikardi do të kthehet sot në Milano nga grumbullimi në Lugano.
Klubi dhe sulmuesi morën një vendim të përbashkët. Ikardi do të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt përmirësimit atletik në ditët në vazhdim, ndërsa nuk do të jetë pjesë e turit veror në Azi”, shkruhej në komunikatën e Interit. Në këtë formë, edhe trajneri Konte, i cili nuk është fans i argjentinasit, do të mund të shmangë konfrontimet me të.