Deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Aurora Mara, e cila fitoi mandatin e dytë në Qarkun e Dibrës, madje me rezultat bindës, shprehet gjatë një interviste për tirananews.al se mandatin e ri ia dedikon punës së madhe të Kryeministrit Rama, Partisë Socialiste dhe origjinës humane të familjes së saj. Ajo garanton banorët e Matit se do të jetë pranë tyre gjatë gjithë mandatit 4-vjeçar.
Çfarë do të sjellësh ndryshe gjatë mandatit të ri?
Në këtë mandat do vazhdohet në gjurmët dhe shembullin e punës që Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste kanë treguar gjatë tetë viteve qeverisje. Do të qëndrojmë vazhdimisht pranë njerëzve dhe do të punojmë me përkushtim për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Çfarë mësove gjatë kësaj fushate elektorale?
Mësova gjatë takimeve në çdo skaj të Matit, dhe Bulqizë e Dibër, se puna shpërblehet, mësova që populli zgjedh zhvillimin, paqen, punën, refomat, qetësinë, të ardhmen.
Si ndjehesh pas mbylljes së numërimit të votave dhe keni rezultuar më e votuara në Qarkun e Dibrës?
U jam mirënjohëse pa fund të gjithë atyre që më besuan, ky është vlerësim dhe njëkohësisht përgjegjësi e madhe. Por dua të theksoj se në radhë të parë fitoren time ia dedikoj punës së jashtëzakonshme të kryeministrit Rama, përkushtimit për ta bërë Shqipërinë që duam dhe forcës që përfaqësoj, është puna e palodhur e këtij burri shteti dhe qeverisjes së tij, që ne si kandidatë shkojmë e përballemi me ballin lart në popull dhe po me dinjitet kërkuam ribesimin. Ja dedikoj gjithashtu pasurisë së madhe që familja ime ka lënë me kontributin human në komunitetin që unë përfaqësoj dhe ja dedikoj Aurorës, për atë që asnjëherë nuk i iku përgjegjësisë që i dha mandati i deputetit. Ndihem krenare, nuk ka gjë më të rëndësishme për një përfaqësues populli sesa dashuria e komunitetit që përfaqëson.