Shtatori shkoi pa gjetur një konsesus mes partive politike përsa i përket listave të kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit të 2021. Teksa opozita kërkon lista 100% të hapura, maxhoranca ka hartuar një draft për përllogaritjen e mandateve dhe pse deklaron se listat do të jenë të hapura. Ndërkaq, jemi vetëm 6 muaj para zgjedhjeve parlamentare ku për herë të parë do të implementohen dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor.
Në një intervistë për tirananews.al, anëtari i Këshillit Kombëtar në PD, Gazmend Oketa flet për realitetin politik dhe pritshmëritë e demokratëve në zgjedhjet e 25 prillit.
INTERVISTA
Z. Oketa, këto ditë po dëgjojmë lista të hapura, lista të mbyllura, lista semi-open. Kemi një draft propozim të PS-së se si do të llogariten deputetët fitues për të ruajtur sipas selisë rozë kuotën gjinore. Ndërkohë opozita e bashkuar ka përcjelle në Këshillin Politik propozimet e saja për lista 100% të hapura. A mendoni se me këtë çështje po devijohet nga marrëveshja e 5 qershorit dhe do të shkojmë në zgjedhje me këtë propozim nëse nuk reflektohen mendimet e opozitës jashtëparlamentare tashmë?
Gjithçka propozohet apo diskutohet në raport me listat nga ana e qeverisë, është thjesht një përpjekje për të mbuluar qëllimin e vërtëtë të z. Rama në raport me zgjedhjet e ardhshme. Qëllimi i tij është vetëm një, ai i heqjes së mundësisë për të bërë koalicion parazgjedhor opozitës së bashkuar. Pjesa tjetër është thesht propagandë dhe strategji për të tërhequr debatin në një pistë tjetër dhe për të mos u marrë më qëllimin e vërtete. Edhe deklarimet e z. Rama apo përfaqësuesve të tij, se ishin për lista të hapura në respekt të vullnetit qytetar, rezultuan thjesht mashtrim. Nëse listat do të jenë 100% të hapura, z. Rama e di fare mirë se ai dhe një numër i konsiderueshëm i ministrave të tij, do ta kishin pothuajse të pamundur të fitojnë mandatin e deputetit, pasi pakënaqësia e opinionit publik ndaj tyre është në maksimumin e mundshëm. Pavarësisht propozimit të PD-së për hapje totale të listave dhe presionit të opinionit publik, z. Rama ka dëshmuar se për interesa të pushtetit të tij ekonomiko-politik është i gatshëm ti shkojë çdo marrëzie deri në fund. E bëri këtë me votimet moniste për pushtetin vendor, e bëri me ndryshimet e njëanëshme të Kushtetutës, duke hyrë në historinë politike të Shqipërisë si politikani i dytë pas Enver Hoxhës, i cili realizon zgjedhje me një subjekt politik dhe ndryshon kushtetutën me një parlament ilegjitim e gjysmak. Uroj të jem i gabuar, por gjykoj se marrisë së fundit, z. Rama do t’i shkoj me të njëjtën kokfortësi e vrazhdësi deri në fund, pavarësisht se kësaj rradhe do të dalë i humbur.
Përfaqësuesi i PS, në Këshillin Politik, z. Gjiknuri, pretendon se nuk ka sisteme zgjedhore me lista të hapura dhe me koalicione parazgjedhore në asnjë vend të BE apo modele të ngjashme? A qëndrojnë në gjykimin tuaj këto pretendime?
Që të flasësh për parime apo sisteme demokratike dhe të jesh i besueshëm në ato që thua, sëpari duhet të demonstrosh në çdo ditë të aktivitietit tënd publik, e jovetëm, se i respekton këto parime. Të bësh aleancë me “çuna problematik” dhe të shkaktosh “tërmet” për të manipuluar një proçes zgjedhor, proçes i cili është baza nga ku buron legjitimiteti i pushtetit, duhet kujaro e madhe të dalësh ca muaj më pas e të mbash leksione demokracie. Megjithatë këtyre pretendimeve po i përcjell disa pyetje për të kuptuar më mirë nëse ato qëndrojnë. A mundet z. Gjiknuri apo z. Rama të na gjejë një vend tjetër të BE, ku parlamenti funksionon prej dy vitesh me 120 deputetë nga 140 që duhet të ketë? A mund të na jepet një shembull i një vendi të BE apo kudo tjetër, kur ministra të qeverisë përfshirë dhe vetë kryeministrin, dalin hapur në përgjime se kanë bashkëpunuar me botën e krimit për të manipuluar zgjedhjet dhe qeveria nuk dorëhiqet e vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohëshme? A mund të na jepet një shembull ku kryeministri shkon në zgjedhje lokale i vetëm dhe përsëri manipulon rezultatin edhe pse pa kundërshtar? A mund të na jepet një shembull kur për një kaprico të kryeministit në raport me një media, gjykata ndërkombëtare e gjobit qeverinë me 120 milion Euro dhe kryeministri mbetet ende në detyre? A mund të na jepet një shembull i një vendi, ku parlamenti voton një ligj të veçantë me emër të një biznesmeni, për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e disa kullave në vend të tij? Një vend ku 2 kilometër unazë e kryeqytetit kushtojnë 40 milion Euro? Nëse ka një vend të ngjashëm, atëherë unë do të pranoja pretendimet që ju parashtruat duke ju referuar z. Gjiknuri.
Partia Popullore Europiane ka dalë me një deklaratë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, duke bërë thirrje për respektim të marrveshjes së 5 Qershorit dhe heqje dorë nga ndryshime të njëanëshme të rregullave. Po ashtu dhe disa ambasadorë kanë bërë të njëjtën gjë. Cili do të ishte komenti juaj dhe a do t’i marrë qeveria shqiptare në konsideratë këto thirrje?
Në fakt, edhe ky rast, është një paradoks pa precedent të mëparshëm. Nga njëra anë Shqipëria ka kryesimin e rradhës të OSBE dhe nga ana tjetër, qeverisë shqiptare i bëhen pambarimisht thirrje për të respektuar rekomandimet e OSBE-ODIHR lidhur me kodin apo reformën zgjedhore. Qeverisë shqiptare i bëhet vazhdimisht thirrje për luftë kundër korruprionit dhe krimit të organizuar. Tani po kjo qeveri, e cila ka gjithë këto probleme me funksionimin e institucioneve dhe të demokracisë brenda vendit të saj, duhet të shkojë e të japë zgjidhje apo rekomandime për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi. Rama me Lukashenkon duke biseduar për demokracinë, institucionet e pavarura dhe respektin për votën e lirë?! E pa imagjinueshme dhe e vështirë ta ndash nëse duhet të qeshësh apo duhet të qash. Unë nuk besoj se z. Rama do të marrë në konsideratë thirrjet e ndërkombëtareve për respektim të marrëveshjes së 5 Qeshorit, aq më pak kur këto thirrje i drejtohen “burrërisë” apo sedrës personale të z. Rama dhe nuk i drejtohen nevojës që ka Shqipëria për respektim të rregullave demokratike. Në fakt z. Rama, në raport me ndërkombëtarët ka një avantazh. Janë ata që kërkuan t’i japin një lloj “legjitimiteti” kuvendit ilegjitim që aktualisht ka Shqipëria, duke synuar të mbushin sallën me çfardo deputetësh “opozitarë” në emër të stabilitetit disa mujor. Janë ata që nuk folën asnjëherë qartë e prerë për dosjet e lidhura me manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017, prandaj sot z. Rama “ka të drejtë” t’i tregojë ndërkombëtarëve sovranitetin e Kuvendit të Shqipërisë. Vetëm me qytetarët shqiptar z. Rama nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Ata e dinë që ai ja ka shitur sovranitetin e shtetit, qeverisë, kuvendit e çdo institucioni tjetër koncesioneve, PPP-ve, tenderave apo parave të pista të cilat lahen çdo ditë nën kujdesin e veçantë të qeverisë shqiptare. Për mua ka pak rëndësi se çfar bën edhe këto 6 muaj që i kanë mbetur z. Rama. Për mua ka vetëm një marrëveshje të cilën PD duhet të synojë. Atë të 25 Prillit 2021 me qytetarët shqiptar. Çdo përpjekje tjetër me qeverinë është humbje kohe.
Gushti ishte muaj pune për Partinë Demokratike për përzgjedhjen e kandidatëve që do të garojnë për deputet apo kryetarë bashkish. Jeni i mendimit se selia blu po korrigjon disa të meta që ka pasur?
Unë besoj se PD me procesin e nisur në përzgjedhjen e kandidatëve, sëpari ka prodhuar veçse efekte pozitive brënda strukturave të saj. I gjithë proçesi ka shërbyer qoftë si një hap drejt demokratizimit të vetë PD-së ashtu dhe për rigjallërimin e aktivitetit të antarësisë, takimeve me njëri-tjetrin, shkëmbimit të ideve apo qëndrimeve për çështje politike të ditës. Sigurisht ky është një hap i parë, dhe në përfundim të tij gjykoj se do të analizohet si ecuria ashtu dhe rezultati për të parë se çfar mund të bëhet më mirë herë tjetër, por deri tani është një proçes për t’u përshëndetur. Plotësimi i kandidaturave me emra të cilët vinë nga shoqëria civile, bota akademike apo profesionet e lira është një domosdoshmëri për të shkuar tek qytetarët shqiptar me emra sa më përfaqësues dhe me mbështetje sa më të gjërë. Unë besoj se me 25 Prill 2021, PD do të shkojë para qytetarëve shqiptar jo vetëm me emra dinjitoz, por edhe me programin dhe alternativën më të mirë qeverisëse. Taksa e sheshtë prej 9%, e cila është propozuar nga PD, do të përbëj shtyllën kurrizore të strategjisë për daljen nga kriza ekonomike. Askush nuk mund ta quaj propagandë një propozim të tillë. Mos harrojmë se deri në vitin 2013, para se z. Rama të bëhej kryeministër kishim një taksë të sheshtë prej 10% dhe sot të gjithë ata që kanë pasur biznese në atë periudhë kujtojnë, besoj fare mirë, potencialet që u çliruan në ekonomi dhe mundësive që ju krijuan biznesit për më shumë investime private. Kthimi në prioritet i interesit të qytetarëve dhe jo interesit për përfitim të tre-katër individëve, hapja e institucioneve në shërbim të biznesit korrekt dhe të qytetarëve e jo mbyllja e tyre për tendera e koncesione të dyshimta, jovetëm do çlirojnë ekonominë, por dhe do të bëjnë shqiptarët të rikthejnë vëmendjen tek Shqipëria e jo të shohin emigrimin si të vetmen mundësi për të ardhmen e tyre.
Pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga presidenti Meta, motorët e fushatës janë ndezur. Sipas mendimit tuaj, çfarë do e rikthente PD-në në pushtet?
PD nuk do të vi në pushtet thjesht për faktin se qeveria e z. Rama ka shkelur çdo premtim, ka rrënuar e vjedhur ekonominë, i ka dhënë krah dhe pushtet politik e ekonomik botës së krimit, e thënë shkurt, ka mbushur kupën. Keqqeverisja e z. Rama sigurisht është një faktor i cili do të ndikojë pozitivish në favor të opozitës së bashkuar, në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme. Pavarësisht z. Rama nuk ka asnjë shans për t’i fituar ato zgjedhje, ai do kërkojë ti marrë apo manipulojë ato me çdo mënyrë. Ashtu siç bëri me zgjedhjet e viti 2017 apo me votimet moniste të viti të shkuar, edhe me zgjedhjet e viti 2021, z. Rama do të bëjë çdo përpjekje për ta mbajtur pushtetin me çdo mjet apo mënyrë. Interesat e jashtëzakonshme ekonomike të një grupi, edhe pse të vogël, afër tij dhe pak ministrave të “besuar” prej tij në afera korruptive, do të jenë një faktor i paneglizhueshëm, por që përsëri nuk do mund të caktoj dot fatin e zgjedhjeve. PD-në do ta kthejë në pushtet vota e qytetarëve shqiptar, votë e cila do të jetë aq masive sa z. Rama nuk do të ketë asnjë shans për të ndryshuar vullnetin e tyre. Dhe për të siguruar këtë mbështetje, jo thjesht për të larguar Ramën, por për të ndryshuar modelin qeverisës, besoj se PD i ka të gjitha mundësitë dhe potencialin për të bindur qytetarët shqiptar se sëbashku mund të ndërtojmë një model qeverisës ndryshe. Shqipëria ka nevojë urgjente për një ndryshim të tillë. Rrugë të mesme nuk mund të ketë. PD ka shansin, por mbi të gjitha ka detyrimin para shqiptarëve ta bëjë realitet këtë ndryshim. 25 Prilli po afron, jam i sigurt se ditët që do vinë më pas do jenë më të mira për të gjithë ne, pavarësisht bindjeve apo simpative politike. Shqipëria është vend i çdo shqiptari, e të gjithë sëbashku duhet ta “çlirojmë” nga ata që i kan zënë frymën. Ata janë fare pak. Shqiptarët e ndershëm janë shumë e shumë herë më të shumtë. 25 Prilli do ta dëshmojë këtë./ tirananews.al