Gjatë mbledhjes së qeverisë së ditës së sotme është vendosur emërimi i Xhoana Lilaj, me profesion juriste, si anëtare të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), institucion që drejtohet prej disa muajsh nga ish-zyrtari socialist Ilir Zela.
Lilaj që do të jetë njëra nga pesë anëtarët e Këshillit Drejtues të AKEP, është bashkëshortja e Dorian Duçkës, ish-zv/ministër i Energjisë dhe Industrisë, nga radhët e LSI-së. Ai dha dorëheqjen nga detyra në shtator 2015 zyrtarisht për arsye personale. Duçka ishte njëri prej anëtarëve të KDK-së në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe edhe gjatë qeverisë Berisha-Meta ishte në post të rëndësishëm. Për rreth 6 vite ai ishte koordinator i projektit të gazsjellësit “TAP” në Ministrinë e Ekonomisë.