Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska thotë se selia blu ka shansin historik, ndoshta edhe të fundit për të hapur listat e kandidatëve për deputetë. Ajo ka reaguar ashpër ndaj deputetit Tritan Shehu, në lidhje me drejtimin që ka aktualisht kjo forcë politike.
“Mendoj se do ishte shans historik dhe ndër të fundit për Partinë Demokratike, që të merrte iniciativë për të hapur garën elektorale dhe listat. Janë artificialë ata persona që janë aty; i kanë zgjedhur kryetarët për interesat e tyre personale. Po u hap gara, vjen vetë ndryshimi. Gara Tritan, gara në parti dhe në Parlament. Janë futur me pazare, kanë blerë mandate. Kryetarët ta heqin monopolin e listave. Keni shansin e fundit, ose do e bëni ju ose do dalë një forcë e re e djathtë, që do bëjë atë që ju nuk jeni të zotë ta bëni”, theksoi Përnaska.
Kurse Shehu tha se është dakord me Përnaskën dhe se është kjo ajo që Partia Demokratike po përpiqet të bëjë. “Jam absolutisht dakord. Këtë po përpiqemi të bëjmë”.