Xhavit Shala, ish-drejtori i Policisë së Fierit ka zbuluar mbrëmjen e sotme një dëshmi tronditëse, ku tregon se banda e Aldo Bares ka tentuar ta eliminojë së bashku me familjen. Ai shpjegoi se kanë qenë dy rastet kur është tentuar të eliminohet me vendosje eksplozivi, një herë në banesën e tij dhe një herë me eskploziv të vendosur në makinë.
Shala shtoi se qëllimi ka qenë eliminimi i tij dhe i familjes, pasi atë ditë ai kishte shkuar në Elbasan për të marrë gruan dhe fëmijët.
“Mund të më eliminonin kur të donin por e kishin marrë vesh që do të merrja familjen në Elbasan. Në atë kohë lëvizja me truproja edhe pse isha larguar nga detyra. Fati im dhe i fëmijëve që objektivi i tyre nuk arriti të realizohej.
Eksplozivi është zbuluar rastësisht. Një nga truprojat më tha që duhej të kontrollonim makinën pasi kishte probleme në thithje. As e kuptoja se çfarë do të thoshte kjo. Shkuam në një servis. Në derën e servisit po pinim një ujë të ftohtë me pronarin. Ka qenë 13 gusht 2005. Ai i servisit kishte qenë punonjësi im në Shërbimin informativ Kombëtar dhe po më pyeste për rastin e bombës së parë.
Në atë kohë, punonjësi i tij e ngriti makinën në urë dhe pa eksplozivin. Ai ishte vetëm 18 vjeç. Ai e hoqi ekspolozivin dhe na e solli në tavolinë. Kur erdhi pakoja në të dhjetat e sekondës e mora në dorë dhe ika me vrap. 2-3 viza bateri kishte celulari. U largova me të shpejtë rreth 20 metra.
Eksplozivi i dytë në makinë kishte tre ditë që ishte vendosur. Ekspertët bënë çaktivizimin. Ajo ishte planifikuar të shpërthente kur unë do të merrja gruan dhe fëmijët sepse kishin informacionin për këtë lëvizje timen”, ka sqaruar ai.