Fatjona Memçaj është emëruar si prokurore ndërlidhëse që do të ushtrojë funksionet në zyrën e Eurojust në Hagë për 2 vjet e 6 muaj. Prokurori i përgjithshëm Olsian Çela e ka takuar dhe i ka uruar suksese në detyrën e re dhe duke i ofruar mbështetjen maksimale për një bashkëpunim të suksesshëm mes Shqipërisë dhe Eurojust-it.
Komandimi i Memçaj erdhi ditën e sotme (17 dhjetor 2020) pasi u propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të integrimit të prokurorisë shqiptare në organizatat evropiane të fokusuara në luftën ndaj krimit të organizuar, trafiqeve, terrorrizmit, krimit ekonomik, krimit kibernetik etj, përmes rritjes së bashkëpunimit, koordinimit të hetimeve dhe shkëmbimit të shpejtë të informacionit.
Eurojust është ngritur në vitin 2002 me një vendim të Këshillit Europian. Ai ka në përbërje të tij prokurorë, magjistratë dhe oficerë policie nga çdo vend anëtar i Bashkimit Evropian si dhe prokurorët ndërlidhës nga vendet e treta ku bën pjesë edhe Shqipëria që nga data 1 nëntor 2019, kur hyri në fuqi Marrëveshja për Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Eurojust. Prokurorët ndërlidhës punojnë përkrah kolegëve të tyre nga vendet anëtare të BE, për të siguruar mbështetje në hetimet ndërkufitare ku përfshihet edhe vendi i tyre.