Ish-presidenti Bujar Nishani tha se PD ka humbur forcën e të qenit alternativë qeverisëse dhe ndodhet në krizë të thellë dhe duhet të ndryshojë në të gjitha dimensionet.
Nishani tregoi dhe alternativat për daljen nga kjo situatë.
“Situata në PD është shqetësuese si etnitet politik, si mekanizëm i sistemit politik dhe garant i shoqërisë për të kontrolluar qeverisjen dhe për të bërë të mundur largimin e saj. PD jo vetëm të mos qëndrojë e përçarë, por për fatin e keq ka humbur thelbësisht forcën e saj politike elektorale dhe është në krizë identitare”.
Sipas Nishanit, Partia Demokratike duhet të ndërtojë ideologjinë, programin politik brenda proceseve të saj, në mënyrë që të rikthehet tek alternativa qeverisëse.
“Janë një kompleks çështjesh që na shqetësojnë, por ndjemë përgjegjësinë për të dhënë kontribute sa mundemi siç e gjykojmë që kjo PD, jo thjesht si bashkim i disa njerëzve, por si njerëz që mendojnë se sistemi politik në Shqipëri është në krizë të thellë. PD duhet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore në të gjitha dimensionet, si duhet të ndërtojë ideologjinë dhe programin politik dhe brenda proceseve të saj. PD duhet të rikthehet tek alternativa qeverisëse. Se kjo është më e dëmshme, pasi PD ka humbur forcën e të qenit alternativë qeverisëse ndaj qeverisë aktuale”, tha Nishani për A2.