Italia do të mbajë më 25 shtator zgjedhjet e përgjithshme, pasi presidenti Sergio Mattarella shpërndau zyrtarisht parlamentin.
“Qeveria ka dhënë dorëheqjen e saj. Falënderova Mario Draghin dhe ministrat për angazhimin e tyre gjatë këtyre 18 muajve”, tha Mattarella të enjten në Pallatin Quirinale.
Vendimi erdhi pasi kryeministri Mario Draghi dorëzoi dorëheqjen e tij nga posti i kreut të ekzekutivit.
Qeveria e unitetit kombëtar e zotit Draghi u shemb të mërkurën pasi anëtarët e koalicionit të tij të përbërë nga të djathtë, të majtë dhe populiste, kundërshtuan thirrjet e tij për t’u bashkuar dhe për të përfunduar mandatin e plotë të legjislaturës si dhe për të siguruar zbatimin e programit të financuar nga Bashkimi Evropian për rimëkëmbjen pas pandemisë.