Profesoresha e inxhinierisë së ndërtimit, Luljeta Bozo e ftuar tek emisioni ”Dola te Ola” ka folur për jetën e saj, familjen dhe faktin se është stërgjyshe dhe në moshë madhore kandidon për deputete në parlament.
Bozo thotë se i mungon bashkëshorti i saj Todi Bozo që ka ndërruar jetë, ndërsa thotë se fëmijët e saj Petrit dhe Lila i kanë dhënë dekoratën më të madhe, tre herë stërgjyshe.
”Bashkë me Todin kemi rritur dy fëmijë të ndershëm, që janë punëtorë, të zotë, jam shumë krenare për ta. Që të dy janë bërë gjyshër. Më kanë dhënë dekoratën më të madhe, jam bërë stërgjyshe tre herë.
S’bën vaki që mos komunikojë jo njëherë, por dhe dy herë apo tre herë në ditë.Më mungon Todi, hynte tek kuqalashja e vet, kishte Fordin. Fëmijët e dinë që mami i vet e ka të bredshme lëvizjen. Petri, po ashtu dhe Lila. Shkuam tek Pogradec, shkuam dhe në Moravë. U kënaqëm. Kam shkuar para tre javësh me Lilën dhe tek Kepi i Rodonit. Gjejmë kohë.
Unë mendoj se gruaja është figura qendrore për të çuar mbarë familjes, apo për të futur sherrin në shtëpi. Gruaja është ajo që di kur duhet të thotë fjalën, kur duhet të tërhiqet. E kam vërtetuar në jetën time, që në fund të fundit duket sikur burri komandon.
E dua shtëpinë ta kem plot me njerëz. Por prap mblidhemi. Nëse këtu në Shqipëri do të kemi kujdes për familjet, shoqëria do të ecë përpara. ”- tha Bozo.
Bozo në emision është surprizuar nga kryebashkiaku i Tiranës live në emision, Erion Veliaj i cili i ka dhuruar një buqetë me lule.
Veliaj ka deklaruar se Bozo tashmë është pjesë e familjes së PS dhe ai vetë është shumë krenar.
”E kemi tek familja jonë. Jemi shumë krenarë. Kemi nevojë të mësojmë nga gjithë ky bagazh. Dëgjojmë njerëz që bëjnë sikur i dinë të gjitha. Nuk kemi nevojë për çirakë, por mjeshtra. ”- tha Veliaj.