Arjan Çani e ka vazhduar normalisht emisionin e tij të së premtes, “Zonë e Lirë” dhe tema e zgjedhur është “Tërmeti/A duhet të trembemi nga vdekja?”.
Të ftuar Pastor Akili dhe Arjan Çuri, të cilët kanë folur për tërmetin tragjik që goditi vendin më 26 nëntor. Ata kanë treguar se si e kanë përjetuar tërmetin e madh dhe ku kanë qenë në ato momente kur u ndjenë lëkundjet e forta. Mënyra se si moderatori i “Zonë e Lirë” e ka përjetuar tërmetin është paksa e çuditshme.
“Duke qenë se kisha një precedent nga tërmeti 5.8 i shtatorit, më kishte ardhur një ide ç’duhet të bëja kur të bie tjetri. Më erdhi një ide origjinale. Nuk u ngrita nga krevati dhe fillova të ndiqja ritmin e tërmetit. Lëkundej ai, lëkundesha dhe unë, nuk e ndjeva tërmetin. Gjëja më e mirë është që të ngrihesh dhe të lëvizësh sipas ritmit të tërmetit. Kjo të ndihmon psikologjikisht se nuk e ndjen tërmetin”, ka treguar Çani.