Vedat Muriqi është protagonist absolut këtë sezon te Mallorca. Mbrëmjen e djeshme, goli i sulmuesit nga Kosova i dha fitoren 1-0 ekipit të tij ndaj Atletico Madrid, ndërkohë që ishte goli i pestë radhazi në 5 javët e fundit të kampionatit spanjoll. Në një intervistë për “Cadena Ser”, Muriqi bëri shaka me deklaratat e trajnerit të tij, që pati thënë se ai ishte shumë i shëmtuar.
“Javier Aguirre ka të drejtë, shumë i shëmtuar jam. Mendoj se gruaja ime nuk sheh mirë. Unë ende nuk jam idhull, kam vetëm 7 muaj këtu, por shpresoj ta përfundoj këtu karrierën dhe të them që kam qenë idhull i tifozerisë së Mallorca. Nuk jam në lartësinë e Eto’o apo Webo.
Kam nisur të punoj që kur isha 9 vjeç. Për disa vite kam punuar edhe kamerier në Kosovë. Kam përjetuar luftën, kam parë gjëra që askush nuk duhet t’i shohë”, deklaroi sulmuesi i Kosovës.