Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi është shprehur të hënën për emisionin “Open” të Eni Vasilit në Top Channel se ka pasur përdhunime të drejtoreshave të rrethit të Shkodrës. Ademi tha se ndryshimi i shumë drejtuesve femra nga drejtoritë e Hipotekës dhe Spitalit në Shkodër, etj. nuk ka qenë rastësi dhe as një çështje performance e tyre. Ajo tha se këto zyrtare të shtetit në Shkodër janë përdhunuar nga njerëz të krimit. E kontaktuar nga Gazeta Shqiptare për të folur më shumë për rastet e përdhunimit që ajo di, kryebashkiakja ka thënë se ka folur për aspekte të ndryshme të një çështjeje të rëndësishme si është kriminaliteti në Shkodër. Ademi përsëri se drejtorët janë dhunuar në të gjitha mënyrat dhe shpesh përgjatë gjithë karrierës së saj politike i ka denoncuar këto raste.
“Që në fillim, dua të sqaroj se nuk kam folur për përdhunim të drejtoreshave siç e shtroni ju pyetjen tuaj. Unë kam folur për aspekte të ndryshme të një çështje të rëndësishme siç është situata e kriminalitetit në Shkodër. Jam ndalur më shumë në vitin e fundit, por në përgjigje të interesit të kolegëve tuaj gazetarë, unë kam folur edhe për aspekte që jo domosdoshmërisht kanë lidhje me situatën aktuale në Shkodër por janë të shtrira përgjatë thuajse 4 viteve të drejtimit të Bashkisë së Shkodrës.
E kam sqaruar edhe mbrëmë, po e përsëris edhe sot. Në zyrat e shtetit, drejtorët janë kërcënuar, goditur e dhunuar, me format që përdor krimi në bashkëpunim me politikën, janë detyruar të largohen edhe nga drejtimi i drejtorive rajonale. E unë kam përmendur ndryshimet e shpeshta në drejtorinë e Shendetit publik, Hipotekës, Spitaleve, Drejtorinë e Transporteve, OSHEE etj. Dhe sigurisht kam vënë në dukje se bëhet fjalë për drejtorë të mazhorancës aktuale qeverisëse në nivel rajonal në Shkodër.
Unë jam prej vitesh në politikë. Më janë besuar pozicione të rëndësishme si nënkryetar bashkie, prefekt, deputete e tani edhe kryetare e Bashkisë Shkodër. Nëse keni ndjekur me vëmendje aktivitetin tim, e konstatoni lehtë se unë nuk kam ngurruar të bëj denoncime publike me emra por edhe të dërgoj çështje në prokuri kur kam patur fakte. Grumbullimi i fakteve, zbulimi i të vërtetave, është detyrë ligjore dhe kushtetuese e organeve ligjzbatuese si Policia e Shtetit apo Prokuroria. Jo vetëm në këto raste, por edhe të tjera, këto institucione kanë mundësinë të vihen në lëvizje për të zbatuar ligjin dhe detyrimin që kanë. Në fund të fundit, për të treguar se nuk vihen në lëvizje vetëm me urdhra politikë dhe se janë selektivë.
Në këtë moment që po flasim mendoj se përqendrimi ynë maksimal, duke filluar nga unë si kryetare bashkie, ju si media, institucionet e shtetit në qendër e në bazë, duhet të jetë tek rivendosje e rendit, sigurisë së jetës dhe të pronës në Shkodër por edhe në shumë qytete të Shqipërisë. Për fat të keq, në këtë situatë kemi precipituar këto vitet e fundit dhe jo për fajin tonë. Por tashmë të gjithë bashkë duhet të reagojmë, nga Policia e Shkodrës e cila duhet mbështetur e inkurajuar me njerëz të devotshëm e mjete logjistike speciale, qeverisja vendore, shoqëria civile, mediat dhe deri tek qytetari më i thjeshtë. Do të dëshiroja që ky mesazh të shkojë përsëri, ashtu siç edhe dje, pardje dhe ditët e kaluara, tek të gjithë”, u shpreh Voltana Ademi.