Ndeshjet e javës së 23 të Kategorisë Superiore kanë disa duele shumë interesante të cilat parashikohet të bëjnë pak më të qartë se për çfarë luajnë ekipet e Superiores deri në fundin e sezonit dhe mund të jenë përcaktuese për disa prej tyre.
Java fillon me duelin në Korçë mes Skënderbeut vendas dhe Tiranës, një sfidë e cila sheh dy skuadra në pozita të ndryshme në renditje e ecuri krejt të ndryshme. Korçarët filluan mirë sezonin por 7 humbje në 8 ndeshjet e fundit i kanë kthyer në krizë dhe vënë në dyshim vazhdimësinë e objektivave të ekipit, ndërsa bardheblutë nisën sezonin keq, e tani po ngrihen pak nga pak duke luftuar që t’i largohen zonës së ftohtë. Të shtunën do të luhen tre ndeshje. Në drekë zhvillohen sfidat mes Luftëtarit dhe Teutës në Gjirokastër e ajo mes Kastriotit dhe Laçit që nuk dihet ende se ku do të zhvillohet pasi krutanët janë dënuar nga Komisioni i Disiplinës të luajnë në fushë asnjanëse. Në darkë ka një ndeshje mjaft interesante në kryeqytet mes Partizanit kryesues dhe Flamurtarit që ka përsëri ambicie për zonën e Europës.
E paqartë është situata edhe për ndeshjen Kukësi-Kamza. Kuksianët luajnë ndeshjet e tyre “brenda” në Kamëz, por do të ishte shumë e çuditshme nëse Kamza do të pranonte t’i hapte stadiumin edhe për këtë ndeshje verilindoreve pasi prania e shuëm tifozëve do t’i favorizonte ata.