Nga Dom Gjergj Meta
Orosh, 124 vjet ma parë, e Mërkurë e Përhime, dita e parë e Krezhmes.
Në atë ditë ishte vrarë në Ndërfanë një njeri prej Oroshit. Me gjithë ndërhyrjen e meshtarëve jezuitë, ata të familjes së viktimës nuk donin asesi të pajtoheshin me vrasësin. Pashkët po afroheshin. Abat Doçi dhe Patër Deda po bënin çmosin që me rastin e Pashkës ky gjak të falej. “Plaga në zemrën tonë është ende e freskët – thoshin familjarët – të presim e ndoshta ma vonë, në dashtë Zoti, gjithçka ka me u ndreq në t’mirë tonën e të atij që na ka vra”.
I zoti i shtëpisë, një burrë fisnik e me shpirt fetar, kishte qenë gjithë kohën i pranishëm në predikimet e misionit (të jezuitëve). Ai i dëgjonte fjalët dhe argumentat e vllaznisë së tij, por nuk i miratonte ato. Përkundrazi i mblodhi disa herë, e duke dëgjuar mendimet e tyre, u përgjigjej: “Zemra e Shenjtë e Krishtit tash po na lyp me e ba kët sakrificë, për dashni ndaj tij. Por ama merrnje vesh mirë se nëse nuk e ndigjoni tash, ndoshta nuk ka me na prit ma”. Kjo arsye, e dalë prej gojës tij dhe e thënë ashtu si ai e ndjente, ia arriti me i bind e pas shembullit të tij e gjithë vllaznia erdhi dhe e puthi kryqin e falën gjakun.
Është një nga ato historitë me përfundim të lumtur, ku besimi në Zotin fiton mbi instiktin e hakmarrjes dhe të urrejtjes. Fjala tash në gojën e të urtit oroshas, e cila fitoi mbi fjalën ma vonë të pjesës tjetër të vllaznisë, është një fjalë thellësisht shpirtërore dhe biblike. Po, sepse kthimi i zemrës, zbutja e saj, nuk mund të presë nesër, ose kur të vijë një ditë më e përshtatshme, por duhet të ndodhë sot, tani. Kjo sepse e keqja lëshon rrënjë shpejt e duhet ndalur sa më parë, madje menjëherë. Fjalët e atij zotshtëpie vijnë nga një besim i jetuar, sipas të cilit Fjala e Hyjit është në qendër të jetës personale, familjare dhe shoqërore. Është pjesë e asaj tradite më të bukur të krishterë ku Fjala e Zotit nuk bëhej dysh asnjëherë, por asaj i jepej përparësi në çdo veprim dhe vendim. Ndërsa lexoja këtë histori në kujtimet e Padër Domenico Pasi-t m’u kujtua vargu i një psalmi që thotë kështu: “Dëgjojeni sot zërin e tij, mos e bëni zemrën tuaj gurë…” (Ps 94, 8).
Nuk do ta ketë pasur të lehtë ai burrë dhe ajo familje me fal gjakun. Nuk është e lehtë edhe sot të falësh dikë që të ka prekur në gjërat më të shtrenjta e në personat më të shtrenjtë. Po ashtu, atëherë sikurse sot, zëri i Zoti përzjehet me shumë zëra të tjerë që tërheqin për kah instikti, urrejtja, “kafja nën kambë”, poshtërimi i tjetrit e kështu me rradhë. E megjithatë edhe pse e mira ka zor të lulëzojë, ajo nuk mund të ndalet të lindë, sepse vjen prej Zotit.
Nesër është e Mërkura e Përhime dhe nisim Krezhmen. Është një rrugëtim shpirtëror. Krezhma është një kohë, një mundësi e dhënë që nëpërmjet fjalës së Zotit, praktikave shpirtërore dhe solidaritetit vllazëror, sidomos me ata që janë më të varfër se ne, të orjentohemi drejt të vetmes të mirë të madhe: takimit me Hyjin, takimit me Krishtin e Ngjallur në misterin e Pashkës. Vetëm një njeri që di të falë, t’i thotë jo të keqes, urrejtjes, smirës dhe inatit, është një njeri i ngjallur, në përngjasimin e Krishtit.
Në një realitet si ky i yni në Shqipëri ku fatkeqësisht gjuha e konfliktit dhe e urrejtjes nganjëherë tejkalon çdo limit, kemi nevojë të kthejmë shikimin dhe zemrën tonë drejt Hyjit i cili na fton për të dashur njëri-tjetrin e nëpërmjet kësaj dashurie na jep paqen e zemrës.
Kthimi dhe shndërrimi i zemrës, përgatitja e saj për pajtim dhe falje, nuk janë një sforcim vetëm i njeriut, por më së pari është një dhuratë e Hyjit që duhet kërkuar me këmbëngulje prej tij. Ai ka aftësi të zbusë zemrën tonë, neve na takon t’i lëmë derën hapur. Dhe kjo duhet të ndodhë tash e jo ma vonë!
Krezhme te mbara!
+ Dom Gjergji