Nga Nersada Mandija
Jo perfekt, por gati për të mësuar
Të dashur mësues, nxënës dhe prindër, në këto ditë në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, ndërsa çantat mbushen me libra dhe në klasa do të kumbojnë zëra të rinj e të vjetër, kam dëshirë të ndaj një reflektim që shpesh qëndron në heshtje, por që ndjej se ndikon thellësisht tek të nxënit dhe tek dëshira e fëmijëve për të mësuar: frika për të gabuar.
Shumë nxënës, bashkë me librat dhe fletoret, marrin me vete në klasë edhe një ndjenjë të brendshme se duhet të jenë “perfekt”. Të japin gjithmonë përgjigjen e saktë. Të mos gabojnë. Të mos bien në sy me pasiguri.
Por perfeksionizmi nuk është sukses; ai është shpesh një mekanizëm mbrojtës nga frika e dështimit. Dhe, fatkeqësisht, kur dështimi përjetohet si kërcënim, mësimi nuk ndodh më nga kureshtja, por nga frika. Nxënësit ndalojnë së pyeturi, së guxuari, së eksploruari – për të mos rrezikuar marrjen e një note të dobët, lidhjen me mësuesin apo vetëbesimin para shokëve apo familjarëve.
Në fillim të këtij viti të ri shkollor, do të doja që të gjithë ne të angazhohemi për më pak nxitje për perfeksion dhe më shumë hapësirë për të eksploruar, gabuar e rimësuar.
Mësues: Ju jeni shumë më tepër se transmetues të njohurive – jeni krijuesit e sigurisë emocionale në klasë. Kur fëmijët ndihen të lirë të gabojnë para jush, ata fillojnë të mësojnë me gjithë qenien e tyre. Le të lavdërojmë përpjekjen po aq sa rezultatin. Le të flasim hapur për gabimet si pjesë e rritjes dhe t’u japim fëmijëve leje të mos jenë “të saktë” menjëherë.
Prindër: Dashuria jonë e pakushtëzuar është mburoja më e fortë që fëmijët tanë mund të kenë. Kur ata gabojnë dhe ne i pranojmë, ata mësojnë që vlera e tyre nuk varet nga perfeksioni. Le të pyesim: “Si u ndjeve?” përpara se të pyesim: “Sa morët?” Të vlerësojmë kur fëmija përpiqet, edhe nëse nuk ia del. Le t’i mësojmë fëmijët të mos kenë frikë nga dështimi, por të mësojnë prej tij.
Nxënës: Ky vit nuk ka nevojë të jetë perfekt. Ka nevojë të jetë i sinqertë. Të jetë i guximshëm. Gabimet nuk janë fundi i rrugës janë pjesë e saj. Mos kini frikë të pyesni, të provoni, të dështoni. Vlera juaj nuk matet me një notë. Ju nuk jeni vetëm çfarë arrini – jeni gjithçka që po përpiqeni të bëheni.
Në fund, le ta mbajmë mend të gjithë: Mësimi i vërtetë nuk ndodh aty ku ka perfeksion, por aty ku ka guxim për të gabuar dhe siguri për të vazhduar. Le të krijojmë një vit shkollor ku nxënësit ndihen të lirë të jenë njerëzorë, të papërkryer dhe plot potencial.
Përzemërsisht, mama e njërit prej jush


