Ishin të dehur deputetët e PD-së, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj dje në Kuvend? Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi thotë se deputetët ishin të zemëruar dhe i kthyen përgjigje një kryeministri që sipas tij, është gojëndotës, i pacipë dhe arrogant. “Zemërimi i Palokës dhe Leskajt nuk ishte zemërim i çastit dhe as i vetes së tyre. Ai është shprehje në një formë ndryshe e zemërimit mbarëpopullor që do derdhet nesër shesheve të Tiranës”,-shkruan Boçi në një postim në facebook.
Postimi i plotë
Nuk ishin të dehur, ishin të zemëruar. Paloka dhe Leskaj nuk ishin të dehur siç mërmërit Rama.
Aspak! Ishin deri në fyt të mbushur me zemërim e shfrynë dufin e reagimit të ligjshëm dhe jo vetëm te tyrin, ndaj një Kryeministri gojëndotës, të pacipë dhe arrogant të neveritshëm.
Ata nuk u poqën me Ramën rastësisht si të panjohur në rrugë që të akuzohen paturpësisht se kishin marrë alkol. Ballafaqimi me të ishte ngjarje që do ndodhte dhe pritja u shkaktua nga sjellja e Ramës. Shkaktari i zemërimit të tyre ishte vetë Kryeministri banal, i cili nuk ndalet të përdorë fjalor linçues ndaj opozitës.
Pse habitet Rama? A e di ai se çfarë urrejtje vlon për të në ambientet përtej parlamentit, në të cilat reagimi i Palokës dhe Leskajt do dukej si përkëdhelje? Dhe pse shan kaq shumë Rama? Shan, se i shari të shan – thotë populli! Shan, sepse kërkon, pa pasur turp nga turpi, të mbulojë ngjarjet korruptive! Shan, sepse brenda tij ka një dëshirë perverse të shahet nga të tjerët! Shan, sepse sharjen e ka aleaten e vetë më besnike.
Por përgjigjen e mori siç e meritonte. Me të njejtën monedhë! E mori në proporcion të drejte me ato që kishtë vjellë nga goja një ditë më parë, ditë të tëra më parë, muaj e vite me rradhë. E meritonte dhe me ashpër madje, por le t’i shërbejë si mësim për t’i vënë gishtin kokës e për të mos cënuar opozitën, qytetarët, madje dhe të tijët. Zemërimi i Palokës dhe Leskajt nuk ishte zemërim i çastit dhe as i vetes së tyre. Ai është shprehje në një formë ndryshe e zemërimit mbarëpopullor që do derdhet nesër shesheve të Tiranës.