Komisioneri Johannes Hahn ka folur nga Brukseli për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Hahn tha se Gjermania ka kërkuar më tepër kohë për t’u shprehur. Sipas tij, zgjerimi i familjes evropiane është diçka e nevojshme dhe strategjike.
Por komisioneri i zgjerimit nuk e fshehu se disa vende janë kundër hapjes së negociatave.
Ai u shpreh se Danimarka dhe Holanda janë shprehur kundër.“Komisioni Evropian vlerëson dhe beson sërish se këto vende duhet të shpërblehen. Nuk është në interes të vetëm këtyre 6 vendeve të Ballkanit që të bëhen pjesë e BE-së, por është edhe në interesin tonë. Të gjitha këto bazohen edhe në merita individuale. Zgjerimi ndikon për stabilitetin në rajon, megjithatë një vendim nuk është arritur të merret në lidhje me hapjen e negociatave, të paktën këtë verë. Kërkohet më shumë kohë për rekomandimet tona që ata të bëjnë vlerësimet e tyre”, tha ai.