Nga Luela Myftari/
Mendoja ndryshe për të para se ta takoja. Mendoja si shumica. E njihja vetëm nëpër filma e gazeta.
Kur ajo vendosi të më rrëfehet, se ndjesia e nënës ishte më e madhe se e aktores, kur nuk kishte zgjidhje tjetër, kur të tjerët e mëshironin nënën e mbetur vetëm që endet rrugëve të Greqisë me një djalë në krah dhe sakrificën e saj, kur iu desh të ikte nga mentaliteti që po e mbyste, nga ky vend ku fëmijën duhet ta merrje në radhët e qumështit, ku duhet ta rrisje me aq sa shënonte tolloni, kur pohoi se nuk ia doli dot më, as atëherë kur donte të rifillonte jetën e saj…
Ajo m’u duk një JOKER.
Për atë thonin : U çmend!
Për atë thonë : Gjynah!
Atë e mëshironin aq shumë, sa ajo harronte se ishte e fortë. Asaj i drejtonin gishtin si të kishin jetuar jetën e saj… si t’i tregonin se sa keq duhet të ndihesh që nuk ndoqi rregullin, të martohej prapë, të bënte karrierë, të merrje një dado dhe ta rriste dikush tjetër fëmijën e saj, ajo të ishe pjeshka e kohës…
Ajo më tregoi jetën e saj dhe unë mësova se atë nuk e kanë kuptuar, e lanë vetëm, e “çmendën”. Unë në të vërtetë pashë një grua të fortë, që ia adhuronin portretin e së shkuarës dhe e mëshironin atë të së tashmes, një grua që zgjodhi të ishte nënë së pari dhe pastaj atë që donit ju, unë, të gjithë.
Nuk jemi ne që e çmendim individin?
Mos kemi qenë ne?
Palaçot e vërtetë…