Enkelejd Alibeaj përveç largimit nga posti i kreut të komanduar të PD-së, ka bërë të ditur se jep dorëheqjen edhe nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.”, tha Alibeaj. Ndërkaq, Gazmend Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, ka bërë të ditur se do të takohet me nënkryetaren tjetër Jorida Tabaku, për të zgjidhur ngërçin.
“Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë znj. Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore.
Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”, theksoi Bardhi në deklaratën e tij.