Vetëm 2 raunde ka zgjatur dueli i boksit mes ish-kampionit të botës Anthony Joshua dhe numrit 1 të UFC Francis Ngannou.
Në Arabinë Saudite në një impiant të tejmbushur, britaniku u shpall fitues, pas një performance të dominuar dhe spektakolare. Teksa të gjithë i kishin nënvlerësuar aftësitë e 34-vjeçarit, kjo për faktin se ishte shkëputur 1 vit nga aktiviteti, madje duke menduar se ai mund të mposhtej nga kampioni i arteve marciale, por të gjithë e kishin gabim.
Joshua e nisi shkëlqyer duelin, duke hedhur në tapet Nganou që në raundin e parë, me këtë të fundit që ia doli të ngrihet sërish. Në raundin e dytë, Joshua ishte dhe më kërkues e i vendosur, duke goditur disa herë drejt kundërshtarit, ku në sekondën e 34 një e djathtë e fuqishme shkoi në fytyrën e Ngannou për ta rrëzuar këtë të fundit përtokë, që nuk u ngrit dot më.
Gjyqtari i dha fund takimit, duke shpallur fitues Joshua, me këtë të fundit që nuk shfaqi asnjë shenjë gëzimi, edhe pse mposhti një kundërshtar që nuk meriton të nënvlerësohet.
Me këtë fitore britaniku Anthony Joshua i dërgon një mesazh dhe dy kampionëve të tjerë të peshave të rënda, Oleksandr Usyk e Tyson Fury, të cilët do të përballen me njëri-tjetrin këtë muaj në Arabinë Saudite. Një rikthim i fuqishëm i Joshua, por me një fitore të lehtë, teksa ndikoi dhe në financat e 34-vjeçarit që përfiton 30 milionë euro kundrejt 16 të Ngannou.