Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi këtë të enjte një takim me gratë e LDGSH, ku nuk i kurseu akuzat ndaj ministrave. Ai u shpreh se ata sillen dhe veprojnë sikur jetojnë në një tjetër planet dhe nuk marrin masa për të ndihmuar qytetarët e tyre që përballen çdo ditë me rritjen e çmimeve.
“Sot qytetarët shqiptarë janë të nëpërkëmbur, qytetarë të kauzave të dhunuara. Janë qytetarë që qeverisën nga një qeveri që mendon për pasurimin e eksponentëve të saj dhe shumë herë më tepër për klientelën e saj. Këto ministrat flasin sikur të ishin të një planeti tjetër dhe jo të një populli që përballet me probleme madhore të ekzistencës së tij. Sot ishim në parlament ku u soll ligji që nuk kompenson asnjë qindarkë, por përkundrazi me paratë që mblidhen nga çmime të larta në vend që të ndihmohen qytetarët, këto u kalojnë atyre që kanë marrë tendera me çmimet maksimale. Tani këtyre u kthehen qindra milionë euro se u rriten çmimet, ndërsa qytetarëve nuk u jepet asnjë kafshatë. Pra janë rritur kostot për çdo gjë. Por përse zgjidhet vetëm ndërtuesi? Përgatitet ligji ku atyre që iu premtua që deri në 2029 nuk do ketë rritje taksash , u vendoset një taksë e re që i çon drejt falimentimi.. Ndaj përveç protestës ky regjim nuk mund të rrezohet. Pushtetin ne e marrim me votën e lirë , por Edi Rama nuk njeh votën ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka…Kjo protestë ka rëndësi për shoqërinë shqiptare dhe Shqipërinë”, tha Berisha.
E pranishme në këtë takim ishte edhe ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Teksa bëri thirrje për bashkim në protestën e 7 korrikut, ajo shtoi se kjo ditë duhet të shënojë fillimin e protestave kombëtare.
“Fitorja kalon përmes grave, unë e kam besuar këtë me vite. Nuk ka gjë më sfiduese se të jesh në opozitë dhe ky vit ka qenë ndër sfidat më të vështira për PD. Pjesa themelore e ringritjes së PD kanë qenë nënat e zonjat në tërësi. Opozita nënkupton një agjendë protestash të pafundshme për të gjitha sfidat që secila ka në familjen e vet. Ka dy kauza që nuk lëshohen kurrë, kauza e lirisë dhe e mungesës së perspektivës për fëmijët. Ju keni ardhur këtu nga gjithë Shqipëria, në temperatura të larta dhe unë besoj se më 7 korrik një numër i madh njerëzish do vijnë. Ka shumë probleme e halle ky vend. Për mua personalisht dy janë më të rrezikshmet për të ardhmen e një populli, emigrimi dhe fenomeni demografik i rritjes negative, kur numri i vdekjeve është më i madh se numri i lindjeve. Di një gjë, që gruaja nuk mëkaton kurrë me heshtje dhe oportunizëm, kur fjala është për familjen dhe fëmijën e saj.”