Juventus do përballet nesër me gjyqin për fshehje të të ardhurave dhe pagesat e lojtarëve në të zezë. Pas heqjes së 10 pikëve për plusvalencat, duket se “Zonja e Vjetër” ka gjetur akordin me Prokurorinë në Itali për një gjobë ose heqjen e deri në -2 pikë.
Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, bardhezinjtë dhe prokurori që po heton çështjen, kanë gjetur një gjuhë të përbashkët mbi dënimin e hetimit të dytë të hapur për Juventusin, atë të manovrës së rrogave. Përveç plusvalencave, për të cilat u dënuan me heqjen e 10 pikëve në renditje, torinezët po hetohen edhe për fshehjen e rrogave që kanë paguar në të zezë dhe akorde të paligjshme me klube të tjera duke manipuluar bilancet.
Media italiane bën të qartë se Juventusi dhe Prokuroria kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe kanë rënë dakord mbi dënimin që duhet të marrin bardheznjtë, pasi proçesi i parashikuar për datën 15 qershor, është afruar për ditën e nesërme.
Pritet një gjobë e majmë për Juventusin, ose heqja e pak pikëve, 2 të tilla, që nuk lënë përfundimisht jashtë Europës skuadrën, edhe pse praktikisht e zbresin në Conference League. Nuk përjashtohet as hipoteza e gjobës maksimale dhe mosprekja e pikëve.