Theresa May ka pranuar humbjen në parlamentin britanik përsa i përket marrëveshjes së Brexit. Ajo do të largohet si kryeministre më 7 qershor, duke i hapur rrugë kështu zgjedhjes së kryeministrit të ri britanik.
Lajmi bëhet i ditur nga të gjitha mediat britanike. Sipas DailyMail kryeministrja ka njoftuar dorëheqjen në një deklaratë emocionale në Downing Street, duke i dhënë lajmin stafit të saj, pas dyerve të mbyllura.
“Kam bërë më të mirën time. Është dhe do të mbetet gjithmonë një çështje që do të ketë keqardhje të thellë për mua që nuk isha në gjendje të përfundojë Brexit”, mësohet të ketë thënë ajo.
DailyMail shkruan se duke parë nga bashkëshorti Philip ajo ka deklaruar se do të japë dorëheqjen si lidere e partisë Konservative më 7 qershor, duke çelur një garë që duhet të përfundojë në korrik, duke pranuar se ishte koha që dikush tjetër të përpiqej të çonte Brexit deri në fund.
Masa drastike vjen pasi May dështoi sërish në Parlamentin britanik për të miratuar marrëveshjen e Brexit, që Britania e Madhe të dalë nga Bashkimi Europian.