Presidenti Joe Biden këmbëngul se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë që të tërhiqet nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Por në rast se do të ndryshonte mendje, nënpresidentja Kamala Harris duket se është e pozicionuar mirë për ta zëvendësuar atë.
Zonja Harris do të kishte avantazh krahasuar me emrat e tjerë të përmendur si alternativa të mundshme nga radhët e demokratëve, si guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsome dhe guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer. Ajo është sprovuar tashmë si kandidaturë e suksesshme së bashku me presidentin Biden, ka siguruar mbështetje prej vitesh në bazën demokrate dhe do të mund të trashëgonte menaxhimin e fondeve të mëdha nga kontributet e mbledhura nga fushata për rizgjedhjen e Presidentit Biden, shkruan VOA.
Presidenti Biden fitoi me lehtësi zgjedhjet paraprake për të marrë emërimin si kandidat zyrtar i Partisë Demokrate dhe rregullat e kësaj partie nuk lejojnë që delegatët e zgjedhur për të mbështetur kandidaturën e tij, t’i kalohen një kandidati tjetër gjatë kuvendit të Partisë Demokrate muajin e ardhshëm. Por tashmë një numër delegatësh kanë deklaruar se do ta mbështesnin kandidimin e zonjës Harris.
Nëse Presidenti Biden do të përzgjidhte zonjën Harris, kjo do kufizonte kaosin e mundshëm dhe do të shmangte përplasjet në sallën e kuvendit, që mund të shkaktonin dëm afatgjatë për cilindo që do të merrte emërimin si kandidaturë zyrtare e Partisë Demokrate për t’u përballur me ish-Presidentin republikan Donald Trump.
“Do të kishte më shumë kuptim që Harris ta vazhdonte trashëgiminë e Biden-it”, tha Andrew Feldman, ekspert demokrat që punon nga afër me degët e partisë nëpër shtetet amerikane. Ai theksoi se çështja është thjesht hipotetike, pasi presidenti Biden këmbëngul se nuk do të tërhiqet.
Zoti Feldman shtoi se axhenda e administratës së Presidentit Biden “ka qenë shumë popullore për sa i përket çështjeve që ata kanë mbrojtur” dhe se presidenti dhe nënpresidentja Harris “e kanë bërë këtë në partneritet”.
Antjuan Seawright, një ekspert demokrat nga Karolina e Jugut, vuri në dukje se votuesit katër vite më parë caktuan 78-vjeçarin Biden në Zyrën Ovale, duke e ditur se zonja Harris do ta kishte radhën pas tij dhe se zoti Biden i shmangu rivalët gjatë zgjedhjeve paraprake këtë vit në moshën 81-vjeçare, ndërsa demokratët e dinin se zonja Harris do të vazhdonte e dyta për nga hierarkia.