Tre stadiume kanë mbyllur dyert për punime, edhe pse jemi vetëm në startin e sezonit. Impianti më i fundit është “Elbasan Arena”, ku do të nisë puna për rinovimin e tapetit të gjelbër. E para që mbylli dyert ishte Arena Kombëtare. Stadiumi më i madh dhe më modern në vend nisi punimet për fushën, përpara ndeshjes së fituar me Poloninë.
Ai do të qëndrojë i mbyllur deri për ndeshjen kualifikuese të 12 tetorit, ku Shqipëria pret Republikën Çeke. Kjo solli edhe spostimin e derbit Partizani-Tirana, që do të luhet më 19 tetor.
Pak ditë më parë u vendos edhe mbyllja e Loro Boriçit në Shkodër. Edhe në rastin e impiantit në Shkodër, punimet lidhen me terrenin e lojës, gjendja e të cilit ishte përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme. Tani me mbylljen e stadiumit në Elbasan, krijohen mjaft probleme për disa skuadra.
Vllaznia dhe Dinamo janë dy skuadrat elitare që do të vuajnë mungesën e fushave, teksa ende nuk dihet ku do të luhet edhe derbi i Shqipërisë, ndërmjet shkodranëve dhe Tiranës, i planifikuar në javën e tetë të kampionatit. Një alternativë është që kjo sfidë të zhvillohet në Kukës, ose të përmbyset kalendari dhe bardheblutë të bëhen skuadra pritëse për fazën e parë.