Kampioni i botës në peshëngritje, Briken Çalja nuk është shpërblyer nga shteti shqiptar për këtë titull? Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi bën me dije se ka urdhër pagesa për shpërblimin e Brikenit bashkë me trajnerin e tij, jo vetëm për kampionatin botëror, por edhe atë europian. Kushi thekson edhe se MAS i ka kryer të gjitha procedurat financiare për shpërblimin e të gjithë sportistëve që kanë fituar medalje dhe tani është detyrim i vetë federatave për të kaluar këto shpërblime te të sportistëve.
Postimi i plotë
Po lexoj sot në media një lajm të pavërtetë që gjoja qeveria sorollat kampionin Briken Çalja dhe nuk e ka shpërblyer ende për titullin kampion bote në peshëngritje. Për informim të opinionit publik, po ju publikoj urdhërat e pagesës për shpërblimin e Brikenit bashkë me trajnerin e tij, jo vetëm për kampionatin botëror, por edhe atë evropian.
Aktualisht, MAS i ka kryer të gjitha procedurat financiare për shpërblimin e të gjithë sportistëve që kanë fituar medalje, nëpërmjet federatave sportive përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi. Pas kësaj, është detyrim i vetë federatave për të kaluar këto shpërblime të qeverisë në llogarinë personale të sportistëve.
I bëj thirrje të gjitha federatave që të zbatojnë detyrimet e tyre ndaj sportistëve brenda afateve të caktuara. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë pa u ndalur sportistët tanë elitarë dhe zhvillimin e sportit në tërësi.