Arrestohet efektivi i Policisë, kishte dalë garant për kultivimin e kanabisit. Nëntë persona, mes tyre një punonjës Policie, janë vënë në pranga pas një hetimi gati 2-mujor të kryer nga SHÇBA në bashkëpunim me Prokurorinë e Krujës me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike.
Kanabisi kultivohej jo më larg se 20 km në vijë ajrore në veri të Tiranës, në një zonë pyjore të Krujës. Gjatë aksionit, ku morën pjesë efektivë të Durrësit, Krujës me mbështetjen e Forcave të Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit, u asgjësuan 750 fidanë në fshatin Shqezë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se, grupi po përgatitej për kultivimin e një sasie të madhe kanabisi, që do të mblidhej gjatë kësaj periudhe.
Por, nga ana tjetër, ka dyshime të forta se kjo zonë është përdorur prej të paktën 6 vitesh për kultivim kanabisi. Kjo gjë dëshmohet dhe nga operacionet e Policisë gjatë këtyre viteve ku janë asgjësuar me dhjetëra parcela dhe me mijëra bimë kanabisi në zonën që quhet ndryshe “Malësia e Krujës”.
Përveç bimëve narkotike, gjatë kontrollit Policia ka sekuestruar dhe armë zjarri, mes të cilave tri pushkë dhe pesë armë gjahu si dhe municione.
ARRESTIMET
Ndalimi i 9 të akuzuarve erdhi si rezultat i finalizimit të operacionit “Ndëshkimi”, pas më shumë se dy muajsh hetime intensive. Sipas Policisë, ata akuzohen për veprimtarinë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kultivonin bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të Krujës.
Krahas nëntë të arrestuarve, për tre persona të tjerë, Gjykata e Krujës ka vendosur si masë sigurie atë të “detyrim paraqitje” për faktin se janë gra dhe duhet të kujdesen për fëmijët. Burime nga grupi hetimor thanë se të gjithë personat e përfshirë në këtë grup kriminal kishin marrë garanci nga oficeri i Policisë Hysen Pula. Detyra e tyre ishte të rrisnin lëndën narkotike dhe, nëse do të kishte ndonjë aksion Policie, do t’i lajmëronte ai me qëllim të merrnin masat.
Por, pasi siguruan prova dhe fakte, Policia dhe Prokuroria organizuan operacionin “Ndëshkimi”, duke e vënë në pranga 52-vjeçarin dhe tetë persona të tjetre. “Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëritjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të Rrethit Krujë.
Gjithashtu, gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave të këtyre shtetasve dhe ambienteve përreth tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri ‘pushkë’, 5 armë gjahu, municion luftarak dhe 17 aparate celulare.
Vazhdon puna për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale”, bëhet e ditur zyrtarisht nga Policia. Ndërkohë, dy prej të arrestuarve nuk ishin pjesë e hetimit të Prokurorisë së Krujës, por ata u ndaluan pasi Policia gjatë kontrollit i kapi me armë.