Pesë vende në dy ditë: nën hijen e luftës së Ukrainës, kancelari Olaf Scholz udhëton në Evropën Juglindore. Nga Kosova dhe Serbia ai pret më shumë vullnet për kompromis.
Të premten (10 qershor 2022) Kancelari Federal Olaf Scholz do të nisë një udhëtim dy-ditor në Evropën Juglindore. Stacionet janë kryeqytetet Prishtina (Kosovë), Beogradi (Serbi), Shkupi (Maqedonia Veriore) dhe Sofja (Bullgari) si dhe metropoli i Greqisë veriore Selaniku. Fokusi i bisedimeve të tij atje do të jetë afrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në, tha të mërkurën (08.06.2022) në Berlin zëvendës-zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann. Nga këndvështrimi i Qeverisë Federale, perspektiva e BE-së nuk është e rëndësishme vetëm për sigurinë në rajon, por për të gjithë BE-në. Por procesi i zgjerimit në BE deri më tani ka dështuar – jo vetëm për shkak të mospërputhjeve të brendshme në BE, por edhe për shkak të çështjeve të pazgjidhura në vetë rajonin.
Potencial përshkallëzimi
Rëndësia e rajonit për sigurinë në Evropë del në pah qysh në ndalesën e parë të kancelarit gjerman në Prishtinë. Më 22 qershor 2022, Bundestagu gjerman do të votojë për vazhdimin e mëtejshëm të mandatit për pjesëmarrjen gjermane në forcën mbrojtëse të KFOR-it, e cila ka siguruar paqen atje që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitin 1999. Gjatë vizitës së tij, Olaf Scholz do të vizitojë edhe ushtarët e Bundesverit të vendosur atje.
Prania e tyre është e dëshirueshme dhe e nevojshme. Sepse situata, sidomos në veri të Kosovës, konsiderohet si e brishtë. Masat e reciprocitetit të vendosura nga qeveria e Kosovës, Gjermania i konsideron “në thelb të justifikuara”, siç thuhet në kërkesën e qeverisë për zgjatjen e mandatit të Bundesverit. Por ato vazhdimisht bëhen shkas për tensione edhe me Serbinë fqinje. Ashtu si në shtator të vitit 2021, kur Kosova vendosi të mos i njohë më targat serbe dhe Serbia e shtoi ndjeshëm praninë e saj ushtarake në zonën kufitare me Kosovën. Një “reagim i tepruar”, gjykon qeveria gjermane./ DW