Katër takime janë zhvilluar këtë të diel nga kandidati socialist për Bashkinë e Matit, Agron Malaj. Mëngjesi nisi me mbledhjen e shtabit elektoral ku bëjnë pjesë drejtuesit e PS-së, antarët e Asamblesë Kombëtare, delegatët e Kongresit, kryetarët e Njësive Administrative, këshilltarët socialist të Bashkisë Mat, etj. Kryesocialisti i kësaj njësie vendore Hasan Pasha njohu të pranishmit me programin elektoral të kandidatit, grafikun e takimeve që do të zhvillohen në të gjithë territorin e bashkisë Mat, caktimin e të deleguarve në çdo njësi administrative dhe qendër votimi.
Entuziast ishte takimi me gratë socialiste të Burrelit. Kryetarja e Forumit të Grave Suzana Hoti tha se kandidati Agron Malaj gëzon mbështetje të madhe. Sipas saj fitorja do të jetë bindëse në të gjitha qendrat e votimit. Kandidati Malaj nënvizoi se kujdesi për gratë në nevojë, me aftësi ndryshe, të arsimuara, do të kenë mbështetjen e bashkisë.
“Unë, tha Malaj, nuk kandidoj për të zgjidhur hallet e mija. Kandidoj për t’u shërbyer qytetarëve matjanë, në mënyrë që kjo trevë të ndryshojë, të dalë nga agonia e gjatë. Jam i gatshëm të marr në konsideratë mendimet dhe sugjerimet e çdo nëne apo vajze matjane”. Gratë që morën fjalën në takim u shprehën se është e rëndësishme të vijojnë kurset profesionale, të ndihmohen gratë e dhunuara, të përmirësohet infrastrukura që do t’u vijë në ndihmë edhe grave.
Edlira Driçi (Palamani) falenderoi të rinjtë socialistë që kanë deklaruar mbështetjen e tyre për kandidatin e PS-së Agron Malaj. “Forca e rinisë dihet dhe ne e vlerësojmë shumë atë. Kandidati ynë gëzon mbështetje masive për shkak të cilësive pozitive që ka dhe kontributit që ka dhënë për qindra familje në nevojë”, nënvizoi Palamani. Sakaq kandidati Malaj u shpreh se ndjehej i keqardhur që për 28 vjet në rrethin e Matit nuk është treguar kujdesi i duhur për rininë. Ai garantoi të pranishmit se ka një program të qartë mbështetje për rininë.
Dita për kandidatin socialist Agron Malaj u mbyll me një takim me sportistë dhe ish sportistë të Matit. Ish futbollistë, trajnerë dhe mbështetës të sporteve në qytetin verilindor thanë se për vite me radhë pushteti lokal ka treguar kujdes shumë të pakët për sportet. Po ashtu gjendja e terreneve sportive është kritike dhe se ajo duhet ndryshuar sa më shpejtë. Kandidati Malaj premtoi se ai do tregojë vëmendje të veçantë për ndryshimin e situatës aspak normale. /tirananews.al/