Aurora Mara, kandidate për deputete e Partisë Socialiste në rrethin e Matit rrëfen në një intervistë për “Tirananevvs” rrugëtimin e saj profesional por dhe atë politik.
E gjejmë në mes të fushatës në fshatrat e Matit, duke u takuar me banorë të zonës e duke biseduar me ta mbi arritjet dhe problematikat, me synimin dhe bindjen se do të jetë zëri i tyre në Parlamentin që do të dalë pas 25 prillit.
“Bashkë me kryetarët e bashkive në do të jemi zëri i qytetarëve në dikastere, qeveri dhe Kuvendin e Shqipërisë. E rëndësishme është që investimet madhore që kanë nisur të mos ndalen, por të vijojnë me të njëjtën ritëm”, thotë ajo në këtë intervistë. .
INTERVISTA
Çfarë ju lidh me Matin dhe matjanët?
Me Matin dhe matjanët më lidh pjesa më e rëndësishme e jetës time, është vendlindja e të parëve të mi, është vendlindja ime, vendi ku u rrita, ku kam hedhur bazat e formimit tim, ku eci dhe mbushem me kujtime, ku kanë jetuar dhe kontribuar prindërit e mi të shtrenjtë, ku të gjithë, kudo që shkoj më njohin e tregojnë mirënjohje dhe respekt për figurën e doktorit, babit tim të ndjerë. Në Mat ndjehem në shtëpi.
A mund të thoni diçka në lidhje me karrierën tuaj profesionale?
Pasi mbarova shkollën e mesme në Burrel bashkë me familjen kemi emigruar në Itali. Kemi qëndruar gjatë në Romë. Kam kryer studimet e larta në Universitetin “La Sapienza” për drejtësi. Jam specializuar më vonë në Kriminologji (investigazione, security, shkencat forense). Kam fituar titullin avokat. Pas kthimit në Shqipëri kam punuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe kam eksperiencë 5 vjeçare si shefe tek shpronësimet, shefe tek kodifikimet dhe tek drejtoria juridike. Prej vitit 2019 jam deputete e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësuese e Qarkut Dibër.
Vendimi për të hyrë në Parlamentin e Shqipërisë nuk ka qenë i lehtë, apo…?
Kur opozita shqiptare vendosi të bojkotojë Kuvendin dhe dogji mandatet, mora vendimin për mos dhunimin e institucioneve dhe mbajtjes së mandatit që më kishin dhënë zgjedhësit e Matit, Bulqizës e Dibrës. Marrjen e mandatit e konsiderova si detyrë dhe detyrim që të jep mandatit i deputetit, si një detyrim dhe përfaqësim që të jep votibesimi i popullit, një detyrë që populli ta beson me votë dhe i vetmi kuptim është përfaqësimi. Të heqësh dorë nga mandatit është të heqësh dorë nga përfaqësimi. Parlamenti është vendi i debatit, i diskutimit, i ngritjes së problemeve por dhe kompromiseve në të mirë të kombit. Si deputete kam kontribuar në mbështetje të të gjitha reformave shumë të rëndësishme për fatet e vendit, siç është reforma në drejtësi dhe jam e bindur që çdo shqiptar i përgjegjshëm që do kombin e tij do të kish bërë të njëjtën zgjedhje, ashtu siç veprova unë.
A është përgjegjësi kandidimi për Partinë Socialiste ?
Ndjehem shumë e nderuar për besimin që Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste më dha si përfaqësuese e Matit në këtë garë elektorale, besim që në fakt ma shton përgjegjësinë.
Prej disa ditësh jeni në fushatë elektorale, keni takuar dhe keni bashkëbiseduar me mijëra banorë të vendlindjes, a mund ti përshkruani ato?
Po, jemi në fushatë elektorale, në çdo fshat e lagje. Po takojmë çdo matjanë, pa dallime politike sepse jemi përzgjedhur që të përfaqësojmë dhe të punojmë për të gjithë njëlloj. Matjanët për mua janë shumë të dashur ndaj u jam mirënjohëse për respektin që tregojnë në çdo takim për figurën e doktorit (babait tim), dhe pse shumë kohë pas ikjes së tij. E shprehin mirënjohjen ndaj vëmendjes së shtuar duke e renditur Matin të dytin në listën e Qarkut Dibër.
A mund të thoni cilat janë shqetësimet kryesore që matjanët ju kanë përmendur?
Në të gjitha takimet banorët shprehen se qeveria Rama e ka kthyer vëmendjen nga Mati. Në gjithë trevën po kryhen investime të rëndësishme. Kudo dëgjojmë vlerësime pozitive për punën e kryetarit të Bashkisë Mat Agron Malaj, si drejtues i aftë, korrekt, punëtor. Nuk mund të lë pa përmendur investimin gjigand në Rrugën e Arbërit, një investim ky shumë i rëndësishëm për banorët e Qarkut të Dibrës. Krahas punëve mjaft të mira banorët vazhdojnë të ankohen për infrastrukturën, kanalet vaditëse, ujin e pijshëm, etj. Me investimet e reja në ujësjellësa, rrjetin elektrik, kanale, rrugë, shkolla, kopshte, mjedise çlodhëse jetë e banorëve të Matit do të jetë më e mirë.
A mund të rendisni një pjesë të premtimeve që Ju u keni dhënë banorëve?
Premtimi kryesor është që unë do të jem pranë matjanëve gjatë gjithë mandatit tim. E rëndësishme që ne njohim me detaje çdo shqetësim të qytetarëve. Po ashtu e kemi të qartë cilat janë rrugët për zgjidhjen e tyre në kohë. Bashkë me kryetarët e bashkive në do të jemi zëri i qytetarëve në dikastere, qeveri dhe Kuvendin e Shqipërisë. E rëndësishme është që investimet madhore që kanë nisur të mos ndalen, por të vijojnë me të njëjtën ritëm.
Jeni shumë e kursyer në kritika për opozitën dhe ish kolegët që braktisën Parlamentin, pse ndodh kjo?
Qytetarët e Matit janë të zgjuar dhe të aftë të kuptojnë të mirën dhe të keqen. Ata shikojnë se kush punon në të mirë të vendit, kush realizon dhe mbështet reformat e rëndësishme, kush po përballon me dinjitet dy tragjedi të mëdha siç është tërmeti dhe pandemia, kush ndërton rrugë, shkolla, çerdhe, kopshte, spitale, kush e bën zero taksën e biznesit të vogël, kush e fiton vendin e punës me meritë, kush rrit pagat e pensionet, etj. Matjanët si gjithë shqiptarët janë në gjendje të kuptojnë politikat e mira të Qeverisë Rama.
Cilat janë pikat Tuaja të forta?
Vullneti, këmbëngulja, dashuria për Matin dhe më kryesorja mbësshtetja e Kryeministrit Edi Rama dhe forcës që ai përgaqëson. Unë në këto zgjedhje kam mbështetjen e fuqishme të gjithë qytetarëve matjanë, pavarësisht bindjeve të tyre politike. 10. Çfarë do të sjellë mandati i Qeverisë Rama 3 për banorët e Klosit dhe Matit? Mandati i tretë është i domosdoshëm vetëm në nivel vendor. Ai është shumë i rëndësishëm edhe në nivel qëndror. Kërkohet të përfundojnë reformat e mëdha në vend, duhet të përfundojnë ndërtimi i banesave dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti, duhet të mbyllim me sukses vaksinimin e gjithë popullatës, duhet të arrihet reforma e ujit, ndërtimi i rrjetit energjitik në bashkitë Mat e Klos, Rruga e Arbërit kjo vepër gjigande duhet të përfundojë me sukses dhe banorët e Qarkut Dibër të jenë më afër metropolit dhe detit. Ky mandat do të sigurojë më shumë zhvillim ekonomik për Klosin, Matin, Bulqizën e Dibrën./ Tirananews