Mësohet se deri tani në kantierin e “Rrugës së Arbërit” janë kryer 43% e punimeve. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bëri me dije se në këtë kantier puna vazhdon ditë e natë, në shtatë ditët e javës.
“Kjo vepër madhështore po ecën me ritëm të shkëlqyer dhe pritet që të përfundojë para afatit”, tha Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke publikuar dhe pamje të punimeve.
Kjo nyje lidhëse, pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashmë pjesë e rëndësishme e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturores rrugore të vendit.
Në bazë të kontratës rruga duhet të përfundojë brenda 44 muajsh, por me volumin e kryer dhe me angazhimin e koncesionarit pritet që rruga të përfundojë më herët.
“Rruga e Arbrit” do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim. Rruga kalon në Qarkun e Tiranës, në njësinë administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, rruga kalon në territorin e bashkisë Klos, e konkretisht në fshatrat Xibër, Shkallë e fshati Fshat.