Policia ka arrestuar një 21-vjeçar, pasi ka vjedhur një makinë në një garazh në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Garage”. Si rezultat i tij u arrestua shtetasi A.H., 21 banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal”, tha policia.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas, më datë 29.08.2024, ka vjedhur një automjet tip “Benz”, në një garazh në rrugën “Xhanfize Keko” dhe më pas e ka braktisur atë në zonën e Laprakës. Makina e vjedhur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë.