Veprimet e PD-së dhe të opozitës, do ti kushtojnë para nga xhepi i tyre deputetëve që dogjën ditën e hënë karrigen ku ulen në sallën e Kuvendit. Kostoja e një karrigeje prej atyre që u dogjën ka vlerën e 35.000 lekëve.
Me këtë çmim nga paratë e taks-paguesve shqiptarë janë blerë në 2010 kur salla e Kuvendit pësoi një rinovim total. Të hënën kjo zjarrvënie prej deputetëve të PD shkrumboi 30 karrige, vlera të cilave në total shkon në 1.050.000 lekë. Kuvendi i Shqipërisë, thotë se ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.
”Në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Deklaratë e Kuvendit të Shqipërisë rreth ngjarjes së djeshme në seancën plenare:
Kuvendi i Shqipërisë, si institucioni më i rëndësishëm kushtetues që mishëron vullnetin e popullit nëpërmjet të zgjedhurve të vet, u sulmua dje si kurrë më parë dhe u përball me akte të rënda, deri në zjarrvënie, të dënueshme në aspektin e legjislacionit shqiptar dhe absolutisht të papranueshme në çdo aspekt tjetër.
Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike.
Kuvendi i Shqipërisë, ka ngritur një grup pune për të bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe në përfundim të këtij vlerësimi, deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë.
Kuvendi i Shqipërisë u kujton të gjithëve se ky institucion është besimi dhe vullneti i popullit dhe populli nuk është një karrige që digjet, po është Sovrani që shërbehet deri në fund nga Kuvendi për besimin dhe vullnetin e Tij.