Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se karta e studentit do të nisë shpërndarjen në muajin maj. I pranishëm në prezantimin e “Sondazhit Kombëtar të Studentëve 2019”, Rama tha se ajo do të nisë fillimisht me 40 shërbime të cilat do të shtohet me të tjera, nga palë të interesuara.
Një element pozitiv i “Kartës” që do të zhvillohet, sipas tij është përfshirja e sipërmarrjes private në angazhime konkrete për t’i shërbyer studentëve.
Lexo edhe: Qeveria miraton vendimin për Kartën e Studentit/ Ja çfarë parashikon
“Kam parasysh këtu marrëveshje të caktuara me kompani të caktuara që bëjnë shërbime dhe janë shprehur të gatshëm për të konsideruar tarifa të lehtësuara dhe çmime më të ulëta për studentët që janë pajisur me këtë kartë”, tha Rama.
Ai tha më tej se u bënë realitet zotimet kryesore ndaj studentëve, por nuk do të mbeten me kaq.
“Faktikisht kemi bërë realitet disa zotime kryesore dhe po bëjmë realitet disa zotime të tjera. E them me kënaqësi se angazhimet e marra në dokumentin e Paktit për universitetin janë angazhime që po ndiqen me seriozitet dhe me këmbëngulje nga Ministrja e Arsimit dhe gjithë qeveria”, tha Rama.